Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mori pjesë në ngjarjen e zhvilluar në kuadër të publikimit të “White Book 2023” nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, dokument ky i cili jep rekomandime e sugjerime strategjike nga burime të ndryshme e të sektorëve të ndryshëm brenda atij privat.
Në këtë event ishin prezent dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ambasadorja e Sllovenisë, Minca Benedejçiq, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog si dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë.
“Rekomandimet e këtij publikimi do të shërbejnë si udhërrëfyes për të parë se në cilat fusha mund të bëhet më shumë. Kosova ofron ambient atraktiv të të bërit biznes dhe lehtësira e masa incentivuese si regjistrim të biznesit pa kosto administrative apo regjistrim i shpejtë i biznesit për vetëm dy ditë”, tha Bislimi.
Ai ka përmendur edhe hapa të tjerë për lehtësimin e ambientit të të bërit biznes, si mbajtja e normës së njëjtë të tatimit për korporata dhe të punësuarit, reforma për zvogëlimin e barrës administrative, si dhe thjeshtësimi i procedurave për dhënien apo marrjen e licencave.
Ai tha se themelimi i Gjykatës Komerciale mundëson trajtimin më të shpejtë të mosmarrëveshjeve ndërmjet bizneseve, ndërkohë që qasja në kredi apo financa është shumëfishuar, duke marrë si shembull vitin 2022 ku ka pasur mbi 2.9 miliardë euro kreditim të biznesit ose rreth 100% më shumë se 4 vjet më herët.
Ndryshe, aktualisht Kosova është në negociata për Planin e Rritjes, përmes të cilit planifikohet të ketë qasje në rreth 950 milionë euro të BE-së, ku pjesa më e madhe janë kredi të buta e që do të përdoren për projekte investuese, gjë e cila është në interes edhe për bizneset vendore dhe investitorët e huaj.