Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se pesë shtetet mosnjohëse janë pengesë për Kosovën që të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ka frustrim brenda Komisionit Evropian që nuk po arrihet konsensusi, për çka shtoi se janë këto vende të cilat nuk po arrijnë një gjë të tillë. Pas mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane, ai theksoi se gara për Kosovën për anëtarësim në BE nuk është e njëjtë në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Para mediave, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u shpreh se Kosova është më e përgatitur se secili vend i Ballkanit Perëndimor për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
“Ka zëra brenda Komisionit Evropian të cilët besojnë që në rast se Kosova do të garonte në kushte të njëjta me vendet e tjera të rajonit, do të ishte mbase vendi i parë ose i dytë nga i gjithë Ballkani që mund të marrë statusin e anëtarit të plot të Bashkimit Evropian, por fatkeqësisht gara për Kosovën nuk është e njëjtë. Në qoftë se e shihni se gara e vendeve të tjera është një garë 400 metra me sprint, Kosova e ka 600 metra edhe me pengesa. Edhe ka njerëz edhe brenda komisionit të cilët na vendosin pengesa të vazhdueshme në këtë rrugëtim”, u shpreh ai.
Tutje, Bislimi shtoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por më pas ka pasur kërkesa të devijuara.