Bislimi dhe Docherty diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi
Lexohet për: 2 min.
16.12.2022 ZvKM Besnik Bislimi (2)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty, i cili po qëndron në Kosovë në një vizitë zyrtare.

Ministri Docherty shprehu interesimin e tij rreth situatës në lidhje me sektorin e energjisë, si dhe perspektivën e Kosovës në kuadër të zhvillimit ekonomik.

Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Docherty mbi situatën e krijuar në Kosovë nga kriza energjetike që ka kapluar Evropën, si pasojë e efekteve të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

“Qeveria po merr masa të menjëhershme si afatmesme e afatgjata për të lehtësuar efektet e kësaj krize dhe impaktit drejt qytetarëve. Rehabilitimi i termocentraleve, të cilat aktualisht janë në gjendje të dëmtuar, si dhe shtimi i kapaciteteve në energji të ripërtëritshme, për të krijuar qëndrueshmëri në të ardhmen në këtë sektor, janë vetëm disa nga hapat e ndërmarra”, thuhet në një komunikatë të Qeverisaë.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se sot gjithashtu është miratuar Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031, në mbledhjen e 113-të të Qeverisë.

 “Ministri Docherty ofroi ndihmën e Britanisë, në mbështetje të sektorit të energjisë dhe arritjes së qëllimeve veçanërisht në energjinë e ripërtëritshme. Sa i përket zhvillimit ekonomik, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Docherty rreth resurseve dhe potencialeve që vendi ynë ofron, sidomos për investitorët e huaj në sektorin e IT-së e cila po njeh hov mjaft të madh dhe ka hapësirë të ketë zhvillim të përshpejtuar. Më tej, zëvendëskryeministri Bislimi veçoi dhe dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dje në Pragë, të arriturat e qeverisë, reformat e deritanishme dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë të vendit. Në takim, u diskutua dhe rreth zhvillimeve në procesin e dialogut”, thuhet në komunikatë.

Ministri Docherty u shoqërua nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe udhëheqësja e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Madeline Knox.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025