Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka akuzuar serish sot Beogradin zyrtar se po tregohet palë destruktive në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Ai gjatë një takimi përfaqësues nga Shoqata për Evropën Juglindore në Munih ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive dhe e përkushtuar në dialog.
Komentet e kryenegociatorit të Kosovës në dialogun në Bruksel vijnë dy ditë pasi emisari special i BE-së Miroslav Lajçak ka shprehur gatishmëri për thirrjen e një takimi të radhës me kusht që palët të tregojnë gatishmëri të vërtetë për të arritur një marrëveshje.
Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen as pas takimit të shtatë javën e kaluar në Bruksel për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua nga autoritetet kosovare nga data 1 shkurt.
Kryenegociatori serb Petar Petkoviq, tha se pala serbe doli me gjashtë propozime të reja konstruktive, por Prishtina i refuzoi të gjitha. Petkoviq nuk dha detaje se çfarë përmbajnë propozimet e palës serbe.
Bislimi tha se 95 për qind e propozimit të palës serbe ka të bëjë me legalizimin e strukturave ilegale, e jo me përfituesit e ndihmave nga Serbia.