Bie nataliteti në Kosovë, qeverisë i kërkohet ta ketë prioritet shtimin e popullsisë
Lexohet për: 3 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Mbi tre mijë foshnje më pak kanë lindur në Kosovë gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2021. Faktorët financiarë, karriera, përvojat e mëparshme në rritjen e fëmijëve dhe migrimi i popullsisë, po konsiderohen të jenë ndër arsyet që prindërit të bëjnë më pak apo fare fëmijë.

Rënia e numrit të lindjeve po vlerësohet të jetë një nga brengat dhe problemet më të mëdha për Kosovën, gjatë viteve të ardhshme në aspektin ekonomik. Ekonomistët thonë se ky trend shkakton rënie të fuqisë punëtore, e që qon në uljen e të ardhurave.

Por kjo dukuri nuk po konsiderohet si negative nga sociologët. Sipas tyre, kjo tregon se njerëzit janë vetëdijesuar dhe emancipuar për planifikim familjar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dërguar për KosovaPress, del se 3 mijë e 173 lindje më pak janë kryer në vitin 2023, në krahasim me vitin 2021. Ndërkaq, vërehet një rritje e lehtë e numrit të lindjeve gjatë viti të kaluar, krahasuar me vitin 2022.

“Në vitin 2021janë 44 mijë e 11 lindje, më 2022 janë 40 mijë e 517 dhe në vitin 2023 janë 40 mijë e 838 lindje”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MPB.

Nëna e një djali pesë vjeçar, e cila ka dashur të mbesë anonim, për KosovaPress, thotë se nuk dëshiron të bëjë më fëmijë. Fakti se është në marrëdhënie pune, me gjendje ekonomike jo të mirë, sipas saj, ndikuan që ajo ta marrë këtë vendim.

Ndërkaq, Rexhep Kaçandolli, babai i pesë fëmijëve, e quan gabim vendimin e të rinjve për planifikim të vogël familjar. Sipas tij, tradita për lindjen e më shumë fëmijëve duhet vazhduar, në mënyrë që “të shtohet popullata”.

Profesori i ekonomisë, Florin Aliu për KosovaPress, thekson se rënia e natalitetit është një problem me të cilin po përballen edhe vendet e Bashkimit Evropian, për çka shton se kjo çështje duhet të jetë prioritet i qeverisë.

Ai thotë se në 10 vitet e ardhshme mund të kemi rënie të fuqisë aktive punëtore dhe rritje të njerëzve në pension. Sipas tij, kjo ndikon në rritjen e taksave, uljen e të ardhurave dhe demotivimin për punë.

Ndërkaq, njëjtë nuk mendon sociologu, Genc Xërxa. Ai për KosovaPress, thotë se tashmë qytetarët janë emancipuar dhe vetëdijesuar për të mos bërë lindje të pa kontrolluara.

Sipas Xërxes, kjo dukuri nuk është negative dhe se prindërit planifikimin familjar e bëjnë sipas mundësive dhe rrethanave.

Përkundër se Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2021, ka marrë vendim për të subvencionuar fëmijët dhe nënat lehona, nataliteti ka shënuar prapë rënie.

Sipas vendimit të marrë nga Ministria e Financave për subvencione, fëmijët që kanë lindur nga 1 janari i vitit 2020, përfitojnë ndihmën prej 20 euro. Ndërsa, për ata që kanë lindur nga viti 2018 e tutje, deri në moshën 16 vjeçare marrin nga 10 euro në muaj.

Me këtë subvencionim, lehonat e papunësuara marrin nga 170 euro për gjashtë muaj, derisa lehonat e punësuara për tre muaj marrin të njëjtën shumë

Ndërkaq, është raportuar se gjatë viteve të fundit, edhe Shqipëria e Maqedonia po përballen me trendin e rënies së natalitetit. /Z.Zeneli/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024