Bie nataliteti në Kosovë, ASK dhe MPB me statistika të ndryshme për lindjet
Lexohet për: 4 min.
439985308_307386979121298_6230723993379808244_n
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Tkurret numri i shtimit të popullsisë në Kosovë vit pas viti. Në dekadat e fundit në Kosovë nataliteti ka shënuar rënie mbi 30 mijë lindje në vit ose 143 për qind, krahasuar vitin 2022 me atë të vitit 1990. Faktorët ekonomik, migrimi i popullsisë, karriera si dhe përvojat e mëparshme në rritjen e fëmijëve po konsiderohen të jenë ndër arsyet që prindërit të bëjnë më pak apo fare fëmijë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2022 janë 22 mijë e 632 lindje ne Kosovë, në vitin 2021 janë kryer 22 mijë e 830 lindje, në vitin 2020 janë shënuar 21 mijë e 907 lindje, në vitin 2019 janë 21 mijë e 798 lindje, në vitin 2018 janë 22 mijë e 761 lindje, në vitin 2017 janë 23 mijë e 402 lindje, në vitin 2016 janë 23 mijë e 416 lindje.

Po ashtu në vitin 2015 janë 24 mijë e 594 lindje, në vitin 2014 janë regjistruar 25 mijë e 929, në vitin 2013 janë 29 mijë e 327 lindje, në vitin 2012 janë 27 mijë e 743 lindje, ndërsa në vitin 2011 janë regjistruar 34 mijë e 262 lindje. Ndërsa, dy vite pas luftës, 2001 kanë qenë 33 mijë lindje, kurse në vitin e para luftës, më 1990 ishin 55 mijë e 175 lindje.

Për dallim nga ASK-ja, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar për KosovaPress, për katër vitet e fundit numri i lindjeve është më i madh. Sipas kësaj ministrie, në vitin 2023 janë 40 mijë 838 lindje, në vitin 2022 janë regjistruar 40 mijë e 517, ndërsa në vitin 2021 janë regjistruar 44 mijë e 11 lindje, ndërkaq në vitin 2020 janë regjistruar 33 mijë e 118 lindje.

“Në vitin 2020 janë 33 mijë e 118 lindje, në vitin 2021 janë 44 mijë e 11 lindje, më 2022 janë 40 mijë e 517 dhe në vitin 2023 janë 40 mijë e 838 lindje”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MPB-ja.

Por, KosovaPress ka kërkuar përgjigje shtesë nga të dyja institucionet (ASK dhe MPB) për këtë dallim në shifra, mirëpo nga MPB nuk kanë kthyer përgjigje, derisa nga ASK-ja kanë treguar dallimin me këto statistika për lindjet. .

Zyrtarja e lartë e statistikave vitale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Arjeta Sojeva, thotë për KosovaPress se metodologjia e këtij institucioni është ndryshe nga ajo e MPB-së. Sipas saj, mbledhja e të dhënave të lindjeve bëhet për ato lindje që kanë ndodhur brenda një viti, ndërkaq siç thotë ajo MPB e regjistron (foshnjen) edhe atë që ka lindur në cilindo vit tjetër, pavarësisht kohës kur paraqitet për regjistrim.

Për këtë dallimin në të dhënat statistikore, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se është e nevojshme që MPB dhe ASK t’i identifikojnë problemet e mos përputhjeve të statistikave. Sipas tij, tani është mundësi e mirë për shkak të regjistrimit të popullsisë, pra, siç thotë ai, në kuadër të saj të merren të dhënat edhe për fëmijët.

Përkundër se Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2021, ka marrë vendim për të subvencionuar fëmijët dhe nënat lehona, nataliteti ka shënuar prapë rënie.

Rënia e numrit të lindjeve po vlerësohet të jetë një nga brengat dhe problemet më të mëdha për Kosovën, gjatë viteve të ardhshme në aspektin ekonomik.

Sociologu, Bekim Selishta derisa rendit shkaqet që kanë ndikuar në rënie të natalitetit, thekson se shteti duhet të punojë më shumë në këtë drejtim.

Kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna thotë për KosovaPress se Qeveria duhet të marrë masa që të rritet nataliteti në Kosovë, në të kundërtën kjo do të ndikojë negativisht në zhvillimin e ekonomisë në vend.

Sipas vendimit të marrë nga Ministria e Financave për subvencione, fëmijët deri në dy vjeç përfitojnë ndihmën prej 20 euro. Ndërsa, të tjerët deri në moshën 16 vjeçare marrin nga 10 euro në muaj.

Me këtë subvencionim, lehonat e papunësuara marrin nga 170 euro për gjashtë muaj, derisa lehonat e punësuara për tre muaj marrin të njëjtën shumë.

Regjistrimi i popullsisë ka filluar më 5 prill 2024 dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti në të gjithë vendin. Ndërkaq, regjistrimi i fundit në Kosovë ka qenë 13 vjet më parë, më 2011.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024