Bie çmimi i miellit, buka pritet të shtrenjtohet për shkak të rrymës
Lexohet për: 3 min.
buka-1304233
1 vit më parë
Linku u kopjua

Çmimi për një ton miell ka rënë për 30 për qind, nga 550 euro sa ishte toni, tani është 420 euro.

Megjithatë, rënie nuk ka pësuar edhe çmimi i bukës. Buka aktualisht në furrat e Kosovës kushton 0.50 euro, por ky çmim nuk do të jetë për shumë kohë, pasi që çmimi i bukës pritet të rritet së shpejti edhe më shumë.

Shtrenjtimi i bukës pritet të ndodhë pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila rriti çmimin e energjisë elektrike në masë prej 15.4 për qind nga 1 prilli.

Për rritjen e tarifave të rrymës,  kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu thotë se do të ketë një ndikim negativ tek furrtarët, ngase sipas tij kjo ndikon në koston e përpunimit dhe sjellë efekte negative.

Kështu ai nuk ka përjashtuar mundësinë e shtrenjtimit të bukës.

“Produktet e grurit kanë pësuar rënie kohëve te fundit, rënie cila ka reflektuar edhe ne çmimin e miellit ( çmimi aktual nga 420-460€ ) për ton, ndërsa vendi ynë ka një qëndrueshmëri të sasive të grurit, por edhe në regjion kemi sasi te mjaftueshme. Rritja tarifave, sigurisht që do ketë një ndikim negativ dhe ndikon në koston e përpunimit ( rritja e kostos rritje e çmimit). Por, nuk mendoj që do rritet, përkundrazi presim një rënie të çmimit të bukës, duke pasur parasysh çmimin e miellit i cili ka pësuar rënie prej afro 30%, ky çmim duhet të reflektoj edhe në rënie të çmimit të bukës”, është përgjigjur me shkrim Zejnullahu për KosovaPress.

Ndërkohë, pronarët e furrave të bukës në kryeqytet nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.

E mundësinë e rritjes së çmimit të bukës, nuk e mirëpresin as qytetarët. Ata thanë se në krizën financiare në të cilën janë, nuk duhet të ndodhë një rritje e tillë.

Qytetari Vesel Veseli, thotë se një vendim i tillë për rritje të çmimit të bukës është i papërshtatshëm, marrë parasysh buxhetin e familjeve, gjersa shton se Qeveria duhet të marrë masa parandaluese për një rritje të tillë.

Ilmi Beqiri, thotë se kjo rritje e çmimit është interes i furrtarëve, gjersa shton se një ngritje e çmimit të bukës, është e papërballueshme.

Me pagat e dobëta, rritja e çmimeve është e papërballueshme për qytetarët, tha vet qytetari, Bislim Ademi.

Situata me ngritjen e çmimeve, i duket normale, qytetarit Hashim Thaqi. I kanë shtrenjtuar të gjitha edhe bukën ta ngrisin, veç edhe shpirtin të na marrin dhe nuk ka tjetër, tha ai.

Kosova është përballur me rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve nga fundi i vitit të kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia Covid-19 dhe invazioni rus në Ukrainë. /D. Lutfiu

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025