Biden thotë se nuk pritet marrëveshje për armëpushim në Gazë në të ardhmen e afërt
Lexohet për: 3 min.
Gaza - Lufta
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha të enjten se nuk pret të arrihet një marrëveshje armëpushimi për luftën në Gazë në një të ardhme të afërt, pasi një propozim i mbështetur nga SHBA-ja dhe të tjerët nuk është pranuar plotësisht nga Izraeli apo Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Biden tha se për armëpushimin, liderët ndërkombëtarë kanë diskutuar në samitin e G7-ës në Itali, por kur u pyet nga gazetarët nëse një marrëveshje armëpushimi do të arrihet së shpejti, ai u përgjigj thjesht "jo".

“Unë nuk e kam humbur shpresën”, shtoi ai.

Më herët të enjten, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, hodhi poshtë pretendimet se Izraeli nuk është plotësisht i përkushtuar ndaj planit të armëpushimit.

“Izraeli e ka dhënë këtë propozim. Ka kohë që është ulur në tavolinë. Izraeli nuk e ka kundërshtuar dhe nuk e ka kthyer atë prapa”, tha Sullivan.

Hamasi i është përgjigjur planit me kërkesa për ndryshime dhe Sullivan tha se qëllimi është "të kuptojmë se si të punojmë për të kapërcyer boshllëqet e mbetura dhe për të arritur një marrëveshje".

Hamasi thotë se ndryshimet e kërkuara synojnë të garantojnë një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza. Propozimi i armëpushimit i shpallur nga Biden, i përfshin këto dispozita.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi të hënën një rezolutë për ta mbështetur propozimin e Shteteve të Bashkuara, me 14 vota për dhe asnjë kundër. Rusia abstenoi.

Propozimi i presidentit amerikan, Joe Biden përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara“ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.

Në fazën e dytë, do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste.

Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre.

Izraeli e nisi luftën, duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez i vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe i rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.

Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli./REL/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024