Biden: Pasoja të rënda për Ukrainën, nëse Kongresi nuk e miraton ndihmën për Kievin
Lexohet për: 3 min.
joe Biden
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Projektligji mbi ndihmat e huaja me vlerë 95 miliardë dollarë, i miratuar nga Senati këtë muaj, mbetet i bllokuar nga shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, duke rrezikuar ndihmën prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Udhëheqësit e Kongresit amerikan u takuan me Presidentin Biden të martën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar ngërçin mbi ndihmën për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon luftën kundër agresionit rus.

Ndërsa ukrainasit varrosin viktimat dhe shënojnë përvjetorin e dytë të fillimit të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë, Presidenti amerikan Joe Biden bëri një paralajmërim për ligjvënësit amerikanë.

“Pasojat e mosveprimit janë të rënda për Ukrainën”, tha ai. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson thotë se nuk do ta hedhë për votim projektligjin mbi ndihmat e huaja prej 95 miliardë dollarësh, i cili përfshinë 14 miliardë dollarë për Izraelin, 60 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 4.8 miliardë për partnerët në rajonin e Indo-Paqësorit, përfshirë Tajvanin, për të luftuar agresionin kinez, para se të merren masa për përmirësimin e situatës në kufirin SHBA-Meksikë.

“Përparësia e parë e vendit është sigurimi i kufijve tanë. Besoj se Presidenti mund ta ndryshojë këtë menjëherë përmes urdhrave ekzekutivë”, tha ai, shkruan VOA, transmeton KosovaPress.  

Një marrëveshje dypartiake për ndryshimin e ligjeve amerikane të imigracionit në këmbim të miratimit të ndihmës për Ukrainën dështoi pas negociatave disa mujore për shkak të kundërshtimeve nga ligjvënësit republikanë. Kryetari i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se ai i ka bërë thirrje Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson që të marrë një vendim të drejtë për këtë çështje.

“Pavarësisht pasojave të tanishme politike, do të pendoheni nëse nuk merrni një vendim të drejtë për këtë”, tha ai. Por shumë ligjvënës republikanë nuk mendojnë se një raund i ri ndihmash për Ukrainën do të ketë një ndikim të madh në luftën e saj me Rusinë.

“Realiteti me të cilin po përballemi është se Vladimir Putini nuk ka për ta humbur luftën”, tha senatori republikan Ron Johnson. Demokratët kanë opsionin e përdorimit të një manovre procedurale për të anashkaluar republikanët, për ta hedhur në votë projektligjin për ndihmat e huaja. Ligjvënësi demokrat Jamie Raskin tha për Zërin e Amerikës se ka mbështetje të mjaftueshme për këtë manovër procedurale.

“Një peticion për të hedhur në votim projektligjin për ndihmat e huaja do të merrte firmat e shumicës së anëtarëve të Kongresit. Peticioni do të kërkonte që projektligji të dilte nga komisionet dhe të hidhej për votim nga ligjvënësit”, tha ai. Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të mërkuren kthehen nga pushimi, por ata duhet menjëherë të përqendrohen në përpjekjet për miratimin e buxhetit të qeverisë amerikane para afateve të 1 dhe 8 marsit./ VOA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024