Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se është optimist lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi dhe të lirimit të pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Jemi më afër se kurrë” arritjes së një marrëveshjeje, tha Biden më 16 gusht.
Kjo nuk është hera e parë që Biden ka shprehur optimizëm që mund të arrihet një marrëveshje armëpushimi për luftën 10-mujore në Gazë.
Pas përfundimit të bisedimeve dyditore në Doha, SHBA-ja tha se ato ishin “serioze dhe konstruktive”.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulm të paprecedent në Izrael, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor që udhëhiqet nga Hamasi./REL/