Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të presë një samit me Afrikën javën e ardhshme, qëllimi i të cilit është rifreskimi i marrëdhënieve të ndërsjella kundër konkurrentëve Kinës dhe Rusisë.
Samiti treditor në Uashington do të jetë një mundësi për të shpallur investime të reja, për të diskutuar sigurinë ushqimore, e cila është përkeqësuar nga lufta në Ukrainë, ndryshimet klimatike, demokracia dhe qeverisja.Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump nuk e fshehu mungesën e interesit për kontinentin afrikan, ndërsa Biden, si avokat i multilateralizmit, synon ta kthejë Afrikën në zemër të diplomacisë botërore.
Biden mbështet idenë e një vendi për Afrikën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe do të bëjë thirrje në samitin e tij në Uashington që Bashkimi Afrikan të përfaqësohet zyrtarisht në Grupin e 20 ekonomive më të mëdha botërore (G20).
Kina është kreditori më i madh në botë i vendeve të varfra dhe në zhvillim, dhe investon shumë në burime në kontinentin afrikan.
Rusia ka rritur shumë praninë e saj në Afrikë, duke përfshirë dërgimin e mercenarëve. Rusia mban lidhje të ngushta me disa vende, veçanërisht ato që vendosën në fillim të marsit të mos votojnë për rezolutat e OKB-së që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.