Bibliotekat e fakulteteve në Universitetin e Prishtinës nuk janë të furnizuara me literatura bashkëkohore, por nuk kanë as kompjuter, printer, skaner, fotokopjues, e disa prej tyre as internet. Kurse, sallat e leximeve të fakulteteve të UP-së i kanë pasur një ulëse për 50 studentë.
Kështu u tha në forumin e diskutimit “Bibliotekat e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës”, të organizuar nga organizata ADMOVERE.
Nuhi Sadiku nga organizata joqeveritare Admovere, ka shpalosur disa nga gjetjet që i kanë realizuar nga disa intervista me bibliotekistët e fakulteteve dhe nga analiza e raportit të fundit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Sipas tij, këto gjetje janë shqetësuese, pasi bibliotekat kanë qenë të mangëta e disa prej tyre edhe të mbyllura.
“Bibliotekat e fakulteteve të UP-së, nuk kanë qenë të furnizuara me literatura bashkëkohore, të gjitha bibliotekat e fakulteteve të UP-së, së bashku i kanë pasur afro 122 mijë ekzemplarë, që i bie që i kanë pasur 2.5 libra për studentë. Sallat e leximeve të fakulteteve të UP-së i kanë pasur një ulëse për 50 studentë, bibliotekat e fakulteteve të UP-së nuk kanë pasur kompjuter, printer, skaner apo fotokopjues, madje disa prej tyre nuk kanë pasur as internet. Bibliotekat e fakulteteve të UP-së kanë qenë të mangëta sa i përket resurseve njerëzore, disa prej tyre nuk kanë pasur as bibliotekistë e për rrjedhojë ato kanë qenë edhe të mbyllura. Bibliotekat e UP-së i kanë regjistruar librat në Excel ose në librin amë, mënyra këto që tashme janë të tejkaluara, përjashtim atëherë ka bërë vetëm Fakulteti Juridik, i cili e ka pas një program mirëpo, edhe ai sipas gjetjeve tona të asokohe nuk ka qenë i plotë, gjithashtu ka pasur mungesë të madhe të librave online ”, tha ai.
Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës tha se Universiteti i Prishtinës përmes donatorëve ndërkombëtare ka siguruar qasje në bibliotekën elektronike, abonim i cili është parapaguar për kohëzgjatjen 2021-2023, ndërsa ka shtuar se nëse krahasohet UP me universitetet e tjera ndërkombëtare, ka një buxhet shumë të limituar.
Ajo ka thënë se për t’i realizuar të gjitha këto duhet pasur mbështetje financiare.
Bukurije Haliti, koordinatore e Bibliotekës Qendrore Universitare, tha se janë tri projekte që janë mbështetur nga Ambasada Amerikane nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të hartuara në bashkëpunim me bibliotekën qendrore universitare të UP-së, e gjitha kjo të afektojë në gjithë sistemin e bibliotekave në Kosovë, projekti i rrjetit të bibliotekave të Kosovës, projekti i bibliotekës digjitale dhe projekti i programit kombëtar të arsimimit bibliotekar.
Haliti: Qëllimi i projektit është të ndajë një sistem bibliotekar në të gjitha bibliotekat e Kosovës
“Projekti krijimi i rrjetit të bibliotekave të Kosovës, i cili tashmë është në rrugë të mbarë për t’u implementuar, është projekt i cili do të shtrihet në të gjitha bibliotekat e Kosovës, si në bibliotekën kombëtare, universitare, publike, speciale, shkollore. Qëllimi i projektit që pas përfundimit, është të ndajë një sistem bibliotekar dhe të kenë një katalog të përbashkët, përkatësisht katalogun e përbashkët të bibliotekave të Kosovës. Duke funksionalizuar edhe huazimin ndërbiblotekar midis bibliotekave të vendit", tha ajo./E.Krasniqi/