Se diçka nuk shkon në “komunitetin e sigurisë” serbe, e tregon padyshim edhe rasti i fundit, kur në opinion doli informacioni se BIA po monitoronte “kasaphanën” e klanit Bellivuk në Ritopek dhe se të paktën janë filmuar pesë raste të sjelljes së viktimave, por autoritetet nuk ndërmorën asgjë për këtë. Njerëzit kanë hyrë në shtëpinë e tmerrit në Ritopek, prej saj nuk kanë dalë, dhe e gjitha kjo ka ndodhur para syve të anëtarëve të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).
Siç ka shkruar gazetari Vuk Cvijiq në NIN, Velko Bellivuk dhe anëtarët e grupit të tij janë ndjekur dhe filmuar nga operativistët e Agjencisë për Siguri dhe Informacion, dhe atë në kohën kur i kanë kryer pesë vrasjet për të cilat akuzohen. Megjithatë, asnjë nga këto krime mizore nuk u parandalua dhe lind pyetja pse?
“Velko Bellivuk është ndjekur fizikisht dhe nën mbikëqyrjen e BIA-s në kohën kur u vranë pesë persona nga shtatë viktima, për të cilën akuzohej si drejtues i grupit të organizuar kriminal. Kjo tregohet nga urdhrat për mbikëqyrje në të cilat kishte akses NIN-i, në të cilat nuk u përfshi aplikacioni Skaj, të cilin të pandehurit akuzohen se e kanë përdorur gjatë organizimit të vrasjeve”, tregon NIN.
Urdhri për mbikëqyrjen e Bellivukut është dhënë më 16 korrik 2020. Para tij, më 12 maj 2020, është lëshuar urdhri për Marko Budimirin, i cili tashmë akuzohet si pjesëtar i grupit, thuhet në tekstin e NIN.
Ajo që është e pazakonta është se në televizion me frekuenca kombëtare është transmetuar një video interesante, por shumë shqetësuese, në të cilin shihet një veturë në të cilën ishte i vrarë Pink panteri i Nishit, Milan Lljepoja, duke hyrë në oborr.
Në bazë të pozicionit të kamerës së vëzhgimit, ishte logjike të supozohej se nuk ishte në pyetje masa mbrojtëse e marrë nga anëtarët e klanit Bellivuk-Milkoviq, por se ishte bërë nga dikush tjetër, policia apo BIA.
Mirëpo, shumë hynë, por nuk dolën asnjëherë dhe kjo vështirë se kaloi pa u vënë re nga inteligjenca serbe. Interesant është edhe fakti se regjistrimi i sjelljes së Milan Ljepojës, i cili u transmetua në televizion me frekuencë kombëtare, u shpjegua në detaje, por se data në kamera është 8 dhjetor të vitit 2020, dy ditë para se BIA të merrte urdhrin për të instaluar kamerat e mbikëqyrjes .
Të paktën pesë viktima të klanit Bellivuk-Milkoviq u vranë derisa Velko Bellivuk dhe ekipi i tij ishin “nën masa”, por ky nuk është rasti i parë dhe as i vetmi që ka ndodhur një gjë e tillë.
Agjentët e DB-së së atëhershme ndoqën Quruvian, dhe shpjegimi ishte se ai duhej të takohej me një "kontakt të huaj", të gjithë agjentët u tërhoqën, që është një vendim i çuditshëm dhe nuk ka asnjë logjikë që njerëzit që e ndoqën, ndërsa ai po shëtiste në rrugën Knez Mihaillova, nuk e monitorojnë shtëpinë e tij dhe nuk e shikojnë kush hyn e del.
Kreu i atëhershëm i DB-së, Radomir Markoviq dhe Millan Radonjiq, u dënuan me 30 vjet për vrasjen e tij, ndërsa Ratko Romiq dhe Miroslav Kurak me 20 vjet. Ai vendim ndërkohë është rrëzuar dhe gjyqi do të fillojë sërish në mars të këtij viti, 24 vjet pas vrasjes.