Duke injoruar shqiptimin e drejtë të emrit të ri të shtetit, presidentja e gjashtë e Maqedonisë së Veriut dhe presidentja e parë grua, Gordana Siljanovska-Davkova bëri sot betimin solemn para deputetëve, korit diplomatik, përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore, por edhe krerëve të komuniteteve fetare.
Gordana Siljanovska Davkova fitoi në zgjedhjet presidenciale të 8 majit ku në raundin e dytë për kundërkandidat kishte presidentin e deritanishëm Stevo Pendarovski nga radhët e LDSM-së.
Në fjalimin e saj, i cili zgjati rreth 17 minuta, ajo fillimisht u betua se do të jetë presidente për të gjithë, pa dallim përkatësisë së tyre në çfarëdo lloj baze.
“Deklaroj se funksionin president i Maqedonisë. Do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi”, tha Gordana Siljanovska Davkova në betimin e presidentes së shtetit.
Ndryshe, kryeministri i Greqisë Kyriankos Mitsotakis tha se deklaratat në lidhje me emrin e shtetit nga VMRO DPMNE, e cila fitoi zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut po ndiqen me shqetësim të madh nga Athina zyrtare.
Ai tha se shpreson që udhëheqja e re e Maqedonisë Veriore t’iu përmbahet dispozitave të Marrëveshjes Ndërkombëtare të Prespës me të cilën shteti ndryshoi emrin nga Maqedonia në Maqedonia e Veriut. Ai po ashtu tha se deklaratat e zyrtarëve të VMRO DPMNE-së i ka përcjellë me shqetësim, dhe se po e pret se me çfarë emri do t’i drejtohet shtetit kryeministri i ri.