Është bërë betimi i shërbimit për 17 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë. Vullnetarët kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit dhe zyrtarisht fillojnë shërbimin e tyre vullnetar për dy vjet në institucionet e Kosovës.
Në këtë ceremoni presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka folur për lidhjen mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çka ka thënë se vendet ndajnë vlera të përbashkëta.
Ajo ka thënë se Kosova e vlerëson punën e bërë nga Korpusi i Paqes.
“Nga lajmet e këtyre ditëve ndoshta mund ta keni kuptuar se kjo është një kohë jashtëzakonisht e ngarkuar për zyrat tona, për institucionet tona, megjithatë kur flitet për Korpusin e Paqes dhe vullnetarët ne jemi gjithmonë të gatshëm të gjejmë kohë për t'u bashkuar me ju në mënyrë që ne të mund të shprehim vlerësimin tonë më të madh për gjithçka që ju bëni”, ka thënë Osmani.
“Qëllimi kryesor i Korpusit të Paqes është avancimi i miqësisë dhe paqes botërore. Ju përfaqësoni 15 shtete në Amerikë dhe mbi 40 institucione të arsimit të lartë, ju sillni me vete një diversitet, përkatësi etnike, shoqërore dhe kulturore, dhe jam e sigurt se do ta ndani me Kosovën, por edhe Amerikën do ta ndani me Kosovën. Faleminderit që u regjistruat për të shërbyer, dua që secili prej jush individualisht dhe kolektivisht të transformojë idetë inovatore për të cilat mund t'ju dëgjoj duke folur me homologët tuaj, dhe po, e di që nuk ju pëlqen kjo fjalë, baza e fortë e qëndrueshmërisë që ju tashmë keni krijuar do t'ju shërbejë mirë gjatë kohës që jeni në Kosovë. Jam e bindur se secili prej jush do japë një kontribut të rëndësishëm në shkollat dhe organizatat ku jeni caktuar”, ka thënë ajo.
Carolyne Siganda, drejtoreshë e Korpusit të Paqes në Kosovë tha se vullnetarët janë njohur me kulturën shqiptare dhe atë serbe dhe të njëjtit tani pas trajnimit mund të shkruajnë dhe komunikojnë në të dy gjuhët.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka bërë të ditur se 11 nga 17 vullnetarët do të shërbejnë në shkollat e Kosovës.
Ai ka thënë se mësimdhënësit do të kenë mundësi të njihen me përvojat e tyre ndërsa nxënësit të përfitojnë në mësimin gjuhës angleze.
E një nga vullnetarët, Jordan Degelia ka thënë se ndjehet i nderuar të shërbejë në Kosovë derisa gjatë ceremonisë dëshmoi përvetësimin e gjuhës shqipe.
“Sot erdhi dita e madhe për ne gjithashtu dy vitet e ardhshme do të jenë vitet më të mira ‘kismet’. Shumica nga ne këtu këtë ditë e kanë pritur gjatë, unë aplikova gati tri vite më parë, unë e di qe pritja ishte e gjatë, aq gjatë kemi pritur sa nuk na besohej që do te vijë kjo ditë por ja ku jemi këtu para jush, për fat të mirë Korpusi i Paqes është këtu dhe te bashkuar me popullin jemi të gatshëm t’i shërbejmë Kosovës... Është kënaqësi dhe nder i madh për mua dhe të gjithë vullnetarët të punojmë në Kosovë, në vendlindjen e Dua Lipës dhe Rita Orës. Mirëpritja që na është ofruar këtu është e pakrahasueshme”, ka thënë ai.
Kjo është ceremonia e shtatë me radhë e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes.