Bernard Karrica “Ylli i Javës” në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës ka ndarë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 35-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të KF Ballkanit, Bernard Karrica.
Karrica me golin që shënoi kundër Llapit ia dhuroi fitoren Ballkanit dhe njëherësh ky gol ia siguroi titullin e kampionit të tretë radhazi skuadrës nga Suhareka, një javë para përmbylljes së edicionit, transmeton KosovaPress.
Pasi mori këtë çmim, Bernardi u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës dhe që skuadra e tij e arriti objektivin e parë të këtij edicioni: “Ndeshja e djeshme ishte kritike për kampionatin tonë, duke pasur parasysh që ishte vendimtare. Jam shumë i lumtur që me golin që shënova arritëm të fitojmë dhe të shpallemi kampionë. Ky është sukses i gjithë ekipit”, tha Bernard Karrica për faqen zyrtare të FFK-së.