Ish-kryeministri, Sali Berisha la sallën e Kuvendit, ku po zhvillohej mbledhja e përbashkët mes kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në momentin që nisi fjalën kryeministri Edi Rama.
Berisha tregoi edhe arsyen e largimit nga kjo seancë.
Berisha u uroj shqiptarëve përvjetorin e pavarësisë, duke u përulur me nderimin më të madh përpara Ismail Qemalit, Ibrahim Rugovës dhe burrave të mëdhenj të botës që bënë të pamundurën që Shqipëria dhe Kosovës të jenë dy vende të pavarura.
“Një nderim i veçantë u përket atyre që derdhën gjak që sakrifikuan për lirinë dhe jetën që shqiptarët të lirë dhe të pavarur. Asnjë komb nuk ka sakrifikuar për liri më shumë se shqiptarët. Nën udhëheqjen e komandantit Adem Jashari, shqiptarët kryen luftën e fundit çlirimtare në Evropë dhe Kosova falë ndërhyrjes së NATO-s u bë e lirë. Por, sot nuk mund të mos ndalem të theksoj se aktualisht, në platformën e këtij parlamenti, po flet njëri nga dy armiqtë kryesorë të qenies së shqiptarëve që nga themelimi i pavarsisë deri më sot, një nga armiqtë më kryesorë të Kosovës, njeriu i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij, Alekandër Vuçiq, njeriu që në vend që të bëjë avokatinë e Kosovës, të mbrojë interesat legjitime të saj, kalon nga samiti në samit duke lobuar për Vuçiqin dhe Rusinë e vogël në zemër të Ballkanit, Serbinë. Edi Rama në mënyrë të përseritur ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës në mënyrë të vazhdueshme. Ai u përpoq të zhbëjë arritjet e saj, përfshirë këtu edhe skenarët për ndarjen e saj me Aleksandër Vuçiq”, tha ai.
Në këtë kontekst, Berisha tha se Rama meriton urdhrin e artë të Çubrilloviçit nga padroni i tij Vuçiq, pasi ka zbatuar me përpikmëri platformën e tij për dëbimin e shqiptarëve.