Berisha: Rama fali 1.5 mln metra katrorë tokë në Durrës
Lexohet për: 4 min.
sali-berisha
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka denoncuar sot projektin e Portit të Durrësit duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se fali 1.5 mln metra katrorë tokë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se kjo aferë vjen në dhunim me të gjitha ligjet e vendit.

“Rasti më tipik është Edi Rama, i cili pasi është kapur në flagrancë me vjedhjen e 420 mln euro për djegësat, gjithçka me firmën e tij, vrapon të vendosë në harresë këtë vjedhje, me dy megaafera të mëdha, që janë 10-fishi i kësaj shume; ajo e Butrintit dhe Portit të Durrësit. Jam këtu për të denoncuar për të shumtën herë, aferën mafioze, korruptive të Ramës me portin më kryesor, shekullor e mijëvjeçar, portin e Durrësit. Kjo aferë vjen në dhunim me të gjitha ligjet e vendit. Rama deklaron se i ka dhënë një kompanie territorin prej 1.5 mln metra katrorë të ndërtimit. Dhënia pa garë është dhunim i ligjeve të vendit, por edhe atyre ndërkombëtare që Shqipëria është e detyruar t’i respektojë”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Rama u lë shqiptarëve veç 10% të fitimit, merr për vete 90%.

“Ky megaskandal është e tillë, që askush nuk njeh kompaninë, pasi kompania është offshore dhe kjo është e ndaluar me ligjet e vendit, që kompani të tilla të marrin prona të tilla të shqiptarëve. Kjo bëhet që Rama dhe bashkëvjedhësit e tij, duan të fshehin fitimet e tyre përrallore nga kjo aferë, në parajsat fiskale të mafias botërore. Në këtë aferë Edi Rama u thotë shqiptarëve se Shqipëria fiton 300 mln, ndërkohë që vetëm trualli kushton jo më pak se 3 miliardë euro, me çmimin aktual. Pra nëse pronarët e trojeve në Shqipëri e japin truallin për zhvillim ndërtuesve, sipas zonave me një % nga 20 deri ne 50%, Edi Rama u lë shqiptarëve vetëm 10% të fitimit. Kurse merr vetë me kompaninë e Emarit-Rama, 90% të vlerës. Ky është një superskandal. Tejkalon çdo lloj imagjinate”, tha ai.

Gjithashtu, Berisha  bëri thirrje të hiqet dorë nga afera.

“A është vetëm kjo gjoba që shqiptarëve u bën Edi Rama me këtë aferë. Kaq e tmerrshme dhe e rëndë është gjoba që Rama u bën, duke i privuar ata nga porti shekullor. Për fitimet e tij marramendëse, ai ka shpallur se do të ndërtojë një port të ri, i cili shkon afërsisht 2 miliardë euro. Pra shqiptarët duhet të paguajnë me taksat e tyre ndërtimin e një porti të ri në Porto Romano, në mënyrë që Rama me kompanitë offshore të përvetësojë 1.5 mln metër katror porti. Vetëkuptohet 90% të sipërfaqes së ndërtimit, në mos e më shumë, i merr për vete. Më këtë rast dua t’i them Ramës, aksionerëve të fshehtë të kësaj kompanie, përfituesve fundorë, se ju që veproni kështu me një mafioz, jeni kryemafiozë dhe se kurrë nuk do të gëzoni pasurin publike të shqiptarëve në Portin e Durrësit”, tha ai.

Berisha theksoi se Porti i Durrësit, Port i NATO-s dhe BE-së, nuk mund të ndryshojë destinacion

“Përveç kësaj, Porti i Durrësit është port i një vendi të NATO-s dhe BE-së, porti i një rëndësie strategjike. Ndryshimet e destinacionit të të cilit nuk mund të bëhen pa një miratim të NATO-s dhe BE-së. Por Rama nuk njeh normë, kufi. Ai tani ëndërron veten multimiliarder dhe gjithçka bazuar në vjedhjen e pasurive publike të shqiptarëve”, tha Berisha./atsh/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024