Deputeti i PDK-së Hisen Berisha ka akuzuar ashpër kryeministrin Albin Kurti se me politikat e tij të gabuara po e zhbën pavarësinë e Kosovës duke i hapur rrugë formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili bie ndesh me Kushtetutën.
Deklarimet e deputetit Berisha vijnë pasi që ish-ndërmjetësuesi evropian Wolfgang Petritsch tha se një shkallë e caktuar autonomie është e nevojshme për serbët në Kosovë, duke iu referuar kështu kërkesës së Serbisë për krijimin e asociacionit.
“Kur bëhet një deklarim i tillë nga ana e një të deleguari në bisedimet për pavarësinë e Kosovës, se “është e nevojshme një shkallë e caktuar autonomie për serbet e Kosovës", kjo deklaratë duhet të na vë në alarm, shto faktin se Wolfgang Petritsch, e di se janë bërë kompromise të dhimbshme dhe të mëdha për pavarësinë, tregon se ku e solli vendin, vonesa në proces, nga Albin Kurti”, thotë Berisha.
Ndërsa Departamenti i Shtetit Amerikan kishte paralajmëruar se status quo është në dëm të Kosovës dhe në interes të Rusisë e Serbisë, Berisha thotë se Kurti “me retorikën e tij prej mashtruesi patologjik, po mundohet ta kamuflojë tradhtinë ndaj Kosovës, me traktate mossulmimi me Serbinë, me formulime si njohja në qendër, shpëtim nga "thikat mbi harta".
“Politika e zhbërjes së Kosovës "shtet i pavarur", po rrëshqet nga asociacioni, drejt opsioneve tjera që po shfaqen në sfondin e diplomacisë evropiane.
Riformatimi i dialogut, si prioritet "jo relevant" i qeverisë Kurti, mos implementimi i marrëveshjeve të arritura me garanci ndërkombëtare të SHBA-së, do na përballë tani përtej asociacionit kushtetues, me opsionin e "dy gjermanive" (që si opsion u arrit në mes dy shteteve të ndara dhunshëm dhe me synim ribashkimi, pra një rast "sui generis" për Gjermanitë”, thotë Berisha.
Berisha thotë se në planin e politikës së jashtme, nxjerrja e Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar dhe Amerika, e vendosja nën ndikimin e Gjermanisë e Francës, direkt shkon në favor të Rusisë dhe kjo linjë e komunikimit të kryeministrit Kurti me diplomacinë botërore, sipas tij, “shpalos qartë lidhjet e tij me rusët”.
Deputeti Berisha ka folur edhe rreth marrëveshjes për letërnjoftimet në kufirin Kosovë-Serbi. Ai thotë se heqja e letrës përcjellëse të ID-letërnjoftimit, që tregonte hyrje-daljen nga Kosova në Serbi, dhe anasjelltas, në një pikë kalim kufitar/doganor, “e përligj pozicionin e Kosovës në Kushtetutën e Serbisë”.
Me asociacion, me autonomi, me çfarë koncesionesh po mbyllet shpejt, kapitulli i bisedimeve?! Çdo ditë të qëndrimit të këtij mashtruesi patologjik, e tradhtari të marrë peng nga e kaluara e tij, nga mafia ruse në Ballkan, bashkëveprimtarët e Bin Ladenit si Osman Atalai dhe muxhahedinët e Iranit, po çon drejt "zhbërjes" së Kosovës si shtet funksional dhe "kthimin nën Serbi apo të Serbisë në Kosovë". Koha e fundit që Albin Kurti të ikë!”, përfundon Berisha.