Bëhet thirrje kujdes ndaj kancerit të gjirit, numri i të prekurve në rritje
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në kuadër të fillimit të muajit rozë, është organizuar fushata vetëdijesuese “Race for the Cure 2023”, me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve kundër sëmundjes së kancerit të gjirit. Ndërkaq, u bë thirrje për kryerjen e mamografisë, në mënyrë që të parandalohet dhe zbulohet më herët sëmundja e kancerit të gjirit. Komuna e Prishtinës u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bëjnë mamografinë falas.

Ky organizim filloi me defilimin e motoçiklistëve MC Eagles dhe çiklisteve të Kosovës nga Sheshi “Ibrahim Rugova”, si shenjë mbështetjeje ndaj grave të prekura nga sëmundja e kancerit të gjirit. Ndërsa vazhdoi me performancën e një grupi të baletit nga studio e baletit “Pirueta”.

Krejt në fund, filloi edhe vrapimi nga sheshi “Ibrahim Rugova”, deri tek “Rrethi me Flamur”, ndërsa ecjen e vazhduan deri te katedralja.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kanceri i gjirit është një sëmundje që ndan familjet, duke mos i kursyer as meshkujt, derisa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bëjnë mamografinë në mënyrë që sëmundja të zbulohet më herët.

I pari i kryeqytetit, Përparim Rama shtoi se nuk do të ndalen derisa numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit të bjerë në zero.

Ndërsa, drejtori i Klinikes së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi tha se numri i grave të prekura me sëmundje të gjirit, po shënon rritje në Kosovë, derisa potencoi se deri në fund të këtij viti, numri mund të arrijë deri në 450.

Ndërsa, udhëheqësja e organizatës joqeveritare “Renesansa”, Violeta Pirana tha se duhet të luftojmë kundër kësaj sëmundje gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në muajin tetor.

Ajo shtoi se ky është viti i pestë që po organizojnë fushatën vetëdijësuese kundër kancerit të gjirit “Race for the Cure”, dhe se do të vazhdojnë tutje duke mos u ndalur.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, i cili tha se kjo fushatë ka treguar se sa e rëndësishme është që të jemi bashkë kundër kësaj sëmundje.

Ai shtoi se heroinat e kësaj fushate mbeten shumë gra që kanë kaluar këtë sëmundje duke i motivuar ata që të jenë më të fortë.

Sadiku potencoi se vetëm në shtator të këtij viti janë realizuar rreth 300 mamografi, deri tregoi se gjatë këtij muaji do të ketë shërbime falas edhe për gratë e komunave të tjera.

“Race for the Cure” është fushatë që organizohet në 140 vende të ndryshme të botës, që ka për qëllim ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundje të rëndë.

Përndryshe, fillimi i muajit tetorit nënkupton fillimin e muajit të ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit. Muaji i vetëdijesimit të kancerit të gjirit, ndihmon në rritjen e vëmendjes dhe mbështetjes për vetëdijen, zbulimin dhe trajtimin e hershëm, si dhe kujdesin për këtë sëmundje./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024