Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur sot në një konferencë për media se ekzekutimi i pagave në sektorin publik për muajin gusht është bërë pjesërisht, për shkak të vonesave në procedimin e listave të grevistëve.
Ai ka theksuar se greva e shpallur nga BSPK-ja prej 25 gushtit, ka krijuar nevojën që të riprocedohen edhe llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga greva. Sipas ministrit, paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht.
Shefi i kuletës së shtetit, ka konsideruar të padrejtë ndalesën uniforme të pagës për gusht.
“Ne kemi konsideruar të pa drejtë që të shkojmë në ndalesë uniforme ashtu siç ka deklaruar SBASHK-u, të gjithë 25 mijë e 98 anëtarëve të SBASHK-ut t’u zbriten pagat për ditët që s’janë në punë, por kemi dashur që të kërkojmë nga komunat të na njoftojnë për vullnetin e lirë të pjesëmarrësve në grevë ose jo… Ndërsa, deklaratat e mësimdhënësve që refuzojnë të jenë pjesë e grevës, por edhe deklaratat e disa prej komunave apo organizatave buxhetore të tjera, siç është Universiteti i Prishtinës që nuk janë në grevë, por janë në pushim, ne kemi parë të nevojshme dhe të arsyeshme që të kërkojmë ato lista, prandaj nuk kemi arritur që të procedojmë me pagat në ditën sotme”, theksoi Murati.
Ministri Murati ka ftuar mësimdhënësit që të nisin punën nesër më 1 shtator dhe prindërit t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.
Ndryshe, drejtues të SBASHK-ut gjatë ditës kanë bërë të ditur se më 1 shtator mësimi s’do të fillojë.