Begaj në KFOR, interesohet për situatën në veri
Lajme
Lexohet për: 3 min.
480369555_965019622396838_897054755706987673_n
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në komandën e KFOR-it në Prishtinë, ku u takua me komandantin e këtij misioni, Gjeneral Major Enrico Barduanin, dhe efektivët shqiptarë që shërbejnë aty.

Me komandantin e KFOR-it, Begaj diskutoi mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Kosova në kontekstin e zhvillimeve, sidomos në veri të vendit dhe në të gjithë rajonin.

“Presidenti i Republikës i shprehu Gjeneral Major Barduanit mirënjohje për kontributin dhe, gjithashtu, i përcolli falënderimet për vendin e tij, Italinë, e cila ka numrin më të madh të trupave në Kosovë. Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e pranisë së KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, ndërsa vlerësoi rolin kyç që ky mision ka luajtur deri tani jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin në Ballkan. Presidenti Begaj i shprehu komandantit të KFOR-it, Gjeneral Majorit Enrico Barduani, mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s dhe misionit të KFOR-it, të cilin e cilësoi si “histori suksesi”, si edhe gatishmërinë e Shqipërisë për të rritur numrin e trupave nëse do të jetë e nevojshme. Shqipëria ka në shërbim të KFOR-it numrin më të madh të efektivëve që marrin pjesë në misionet ndërkombëtare jashtë vendit. Gjatë takimit me ushtarakët shqiptarë, Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e tyre për një shërbim të cilin e çmon me rendësi të madhe kombëtare pasi, siç u shpreh, krahas kontributit në NATO, për paqen dhe sigurinë, pjesëmarrja e tyre në KFOR i shërben paqes, sigurisë dhe mirëqenies së Kosovës, e cila është prioriteti ynë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Presidenti Begaj vlerësoi se përmirësimet ligjore dëshmojnë për vëmendjen dhe mbështetjen në rritje të institucioneve ndaj Forcave të Armatosura.

“Ju përfaqësoni pjesën më të mirë të shtetit shqiptar, sepse na bëni krenar me veprimtarinë, angazhimin, ndjenjën e përgjegjësisë, kontributin tuaj”, - vlerësoi Presidenti Begaj në këtë takim ku shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtënant Arben Kingji, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025