Komuna e Prizrenit ende pa një përkthyes të gjuhës rome
Lajme
Lexohet për: 5 min.
komuna
1 vit më parë
Linku u kopjua

Vitin e kaluar Komuna e Prizrenit miratoi vendimin për përdorim zyrtar të gjuhës rome në këtë komunë, duke marrë parasysh se ishte një gjuhë që ishte folur me shekuj dhe vijonte të flitej, edhe pse përqindja e popullatës si kriter kryesor për ta shpallur atë si gjuhë zyrtare apo në përdorim zyrtar nuk plotësohej.

Edhe sot kur shënohet Dita Botërore e Gjuhës Rome, falë iniciativës së UNESCO-s së vitit 2015, në Prizren nuk respektohet vendimi i Kuvendit Komunal të datës 30 tetor 2022, pasi nuk ka angazhuar asnjë përkthyes të gjuhës rome e rrjedhimisht as benefitet e atij vendimi nuk mund të përfitohen nga komuniteti rom.

Ymer Berisha, zyrtar për komunikim me publikun në Komunën e Prizrenit, deklaroi për KosovaPress se vendimi për ta shpallur gjuhen rome si gjuhë zyrtare në përdorim u bë me të vetmin qëllim si mundësi që ky komunitet të integrohet sa më shpejtë në institucionet dhe në jetën shoqërore në përgjithësi.

Berisha thotë se Komuna e Prizrenit është në procedura që të jetësohet vendimi i Kuvendit Komunal me kërkesën që të shtohet një kod buxhetor që i lejon këtij institucioni punësimin e një përkthyesi në gjuhën rome, e cila ka qenë pengesë në jetësimin e këtij vendimi.

Vetëm pasi të merret edhe drita e gjelbër nga Ministria e Financave, atëherë Komuna e Prizrenit pritet të hap konkursin për një përkthyes të gjuhës rome.

Ne vetëm e kemi lëshuar kërkesën e parë, e kemi formalizuar në drejtim të kryetarit [Shaqir Totaj] dhe zyrës së burimeve njerëzore në Komunë që gjatë vitit 2024 buxheti i Komunës së Prizrenit të parasheh një pozicion, ose një zë buxhetor, për një përkthyes të komunitetit rom, ose gjuhës rome, po planifikojmë që nëse Ministria e Financave na e njeh këtë të drejtë që edhe një pozicion në administratën e Komunës së Prizrenit të hapet si mundësi për të marr pagë ne do të jemi të gatshëm që të hapim konkursin që të bëjmë thirrje për të punësuar edhe një nga komuniteti rom për përkthim në këtë fushë”, tha Berisha.

Drejtori i organizatës “Durmish Aslano”, Fatmir Menekshe, i cili ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në të gjithë procedurat deri në vendimin komunal për përdorim të gjuhës rome në Prizren, uron që të ketë vullnet për ta zbatuar atë plotësisht në praktikë.

“Komuna, ashtu siç ka treguar vullnet politik dhe mbështetje të madhe për komunitetin rom duke shkruar historinë vitin e kaluar po besoj që kanë vullnet dhe shumë shpejtë do të zbatojnë edhe vendimin të cilin e kanë marrë si ekzekutiv”, tha Menekshke.

Megjithatë Menekshe thotë se kërkesat janë të qarta që të vazhdohet me procedimin e mëtutjeshëm të vendimit të Kuvendit Komunal dhe të bëhet sa më parë edhe plotësim-ndryshimi i statutit të Komunës së Prizrenit që i njeh gjuhës rome statusin e gjuhës në përdorim zyrtar.

“Kërkesa e parë është që sa më parë të vazhdohet me procedimin e mëtutjeshëm të vendimit të marr vitin e kaluar që gjuha rome është njohur si gjuhë në përdorim zyrtar, sa më parë të bëhet plotësimi ose ndryshimi i rregullores së përdorimit të gjuhëve, nga ana e tjetër kur do të ndërrohet statuti, do të duhet edhe në statut të përmendet, të përshkruhet kjo gjuha në përdorim zyrtar që është njohur me vendimin përkatës po ashtu të njihet si komuniteti rom që jeton në komunën e Prizrenit, apo në hyrje-dalje të komunës së Prizrenit apo në gjëra të vogla së pari të fillojmë me përkthimin edhe në gjuhen rome dhe normalisht të punësohet një përkthyes në gjuhën rome dhe çdo takim që mbahet për qytetarë të përkthehet për qytetarë të komunitetit rom të ketë përfaqësim edhe të gjuhës rome në një vend ku gjuha boshnjake, turke, shqipe, angleze janë prezente dhe kjo do ta fuqizojë edhe vetë Komunën e Prizrenit dhe do të jetë vula e titulli të multikulturalitetit që njihet Komuna e Prizrenit”, shtoi Menekshe.

Megjithatë, zyrtari për komunikim në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha, parashikon sfida edhe pas hapjes së konkursit për përkthyes të gjuhës rome.

“Pastaj është aspekti tjetër që na presin ndoshta vështirësi edhe pas hapjes së konkursit pasi nuk e di nga komuniteti rom sa do të kemi njerëz, ose kuadër, i cili do të vijë të punësohet në komunë dhe t'i kap dokumentet dhe t’i përkthejë në gjuhen rome, por na si Komunë jemi të gatshëm që të bëjmë më të mirën për komunitetin për arsyen e vetme se ata janë qytetarë të komunës së Prizrenit”, tha Berisha.

Komuniteti rom në Komunën e Prizrenit kishte lobuar që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës që gjuha e tyre të jetë gjuhë zyrtare në Komunën e Prizrenit. Ky komunitet është shumë aktiv në Prizren pasi ka angazhim të madh të shoqërisë civile, media dhe jetës kulturore.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet joshumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024