Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj mori pjesë sot në takimin e nivelit të lartë të kryesisë së radhës së Malit të Zi të, në kuadër të samitit të nismës së Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP).
Takimi u organizua nga presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në Podgoricë, në mbyllje të kryesisë së radhës së SEECP-së nga Mali i Zi.
Gjatë prononcimit për mediat, Begaj përgëzoi Malin e Zi për kryesinë e radhës të SEECP, duke konsideruar çdo nismë që ka synim afrimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, të domosdoshme dhe të nevojshme.
“Vetë prezenca në këtë nismë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian tregon mbështetjen e tyre për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në rrugëtimin e tyre euroatlantik”, tha Presidenti.
Duke u ndalur tek sfidat e sigurisë, Presidenti Begaj nënvizoi se situata e sigurisë në Evropë për shkak të luftës në Ukrainë ka ndryshuar.
“Fokusi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është rritur, është fuqizuar, dhe ne si vende të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore duhet të bashkëpunojmë më mirë rreth sfidave të cilat shqetësojnë më shumë popujt tanë, siç është sfida e sigurisë, sfida e bashkëpunimit ekonomik, sfidat e lidhura me energjinë, me infrastrukturën, me agjendën e gjelbër apo me transformimin digjital”, tha ai.
Në fund të prononcimit të tij, Presidenti Begaj përgëzoi Maqedoninë e Veriut për kryesimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës.