Begaj: Austria mbështet integrimin e Shqipërisë në BE
Lexohet për: 2 min.
begaj
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi sot se vizita e Presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen në Tiranë është dëshmi e angazhimit serioz të Austrisë në procesin integrues të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor “si një vend me arritje të shumta në këtë rajon me vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm që rajoni ynë të jetë pjesë e familjes evropiane”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun austriak, Begaj tha se “kjo vizitë është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një rëndësie të veçantë. Austria është partner dhe mik historik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndamë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-austriake përjetojnë një klimë të mirë bashkëpunimi dhe se dialogu politik është intensifikuar përfshirë nivelin e vizitave”, tha ai.

Begaj tregoi se presidentin austriak e informoi për përparimin e bërë në zbatimin e reformave në integrimin evropian dhe të rezultateve konkrete në plotësimin e kritereve në këtë drejtim.

“I konfirmova vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar me ritme të shpejta angazhimin për të përmbushur të gjitha detyrimet si një vend kandidat për anëtar në BE. E sigurova që Shqipëria mbetet e dedikuar në të gjithë nivelet për rezultate të dukshme në reformën në drejtësi. Brenda kompetencave kushtetuese mbetem tërësisht i angazhuar për mbështetjen e ecurisë së reformës në drejtësi që të gjitha institucionet e larta të drejtësisë të arrijnë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, që Shqipëria të forcojë shtetin e të drejtës , garant të cilësisë së demokracisë dhe një sistem drejtësie që gëzon besimin e plotë të shtetasve tanë dhe respekt ndërkombëtar”, nënvizoi Begaj, shkruan Atsh

Presidenti shqiptar, duke folur për Kosovën tha se “shumë e rëndësishme është mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025