Bashkimi Evropian bëri të ditur të enjten se grupi mercenar rus Wagner është futur në listën evropiane të sanksioneve për “pjesëmarrje aktive në luftën e agresionit rus kundër Ukrainës”.
Wagner, që po udhëheq betejat ruse në përpjekjet për t’i pushtuar qytetet ukrainase Bahmut dhe Soledar, ishte vendosur në shkurt në një listë tjetër sanksionesh të BE-së për shkelje të të drejtave të njeriut dhe “destabilizimin” e vendeve në Afrikë.
BE-ja shtoi se Wagner u shtua edhe një herë në listë “për veprime që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.
Fakti që Wagner është listuar dy herë “nënvizon dimensionin ndërkombëtar dhe peshën e aktiviteteve të këtij grupi, si dhe ndikimin e tij destabilizues në vendet ku ai është aktiv”, thuhet në deklaratën e Këshillit.
Një organizatë joqeveritare ruse dhe një dezertor i Wagnerit kanë pretenduar se luftëtarët e Wagnerit ishin përgjegjës për incidentin e prerjes së kokës të një të burgosuri lufte ukrainas që duket në një video që ka tërhequr vëmendjen e Ukrainës dhe zyrtarëve të OKB-së.
Prigozhin i mohoi akuzat të enjten. Rusia tha se ka hapur një hetim lidhur me këto pamje.