Bashkimi Evropian u ka bërë sërish thirrje liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kenë “sjellje evropiane”, për të ndihmuar në ulje të tensioneve.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka bërë këto deklarata pas pyetjeve të gazetarëve për deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “llum terrorist”, dhe ka paralajmëruar se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin që organizohet më 6 dhjetor në Tiranë midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë pjesë e bllokut evropian.
Stano ka thënë se është me rëndësi të merret parasysh situata dhe ajo të jetë e qetë.
“Ne presim që të dyja palët të përmbushin angazhimet e tyre dhe të përmbushin marrëveshjet e arritura tashmë. Kjo është pritshmëria e kahershme që ne vazhdojmë ta përsërisim dhe po punojmë me të dyja palët për ta bërë atë shumë të qartë. Pra, marrëveshjet e deritanishme duhet të realizohen. Sa i përket vizitës, vizita është vazhdim i bisedimeve dhe diskutimeve që patëm javën e kaluar. Pra, përfaqësuesi special për dialogun Kosovë-Beograd, apo dialogun Prishtinë-Beograd është shumë shpesh në rajon, ai udhëton sa herë që është e nevojshme për t'u angazhuar me partnerët, vizita e tij e ardhshme në rajon është pikërisht pjesë e orarit të tij të punës, siç është përshkruar shumë kohë përpara se t'i kishim këto çështje nga dita e djeshme”, ka thënë ai.
“Në lidhje me pjesëmarrjen në Samitin e javës së ardhshme në Tiranë, tani sigurisht që ky është një samit shumë i rëndësishëm dhe natyrisht ne presim që të gjithë liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të jenë të pranishëm dhe përkrah institucioneve të Bashkimit Evropian, dhe shteteve anëtare”, tha ai.
Deklaratat e Vuçiqit për Kurtin janë bërë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërim të Nenad Rashiqit në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim.
Duke iu referuar emërimit të Rashiqit, Stano ka thënë se “sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën”.