BE: Masat ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi
Lexohet për: 2 min.
FILE PHOTO: European Union flags flutter outside the EU Commission headquarters in Brussels
1 vit më parë
Linku u kopjua

Bashkimi Evropian ka njoftuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 qershor.

Në një përgjigje nga Bashkimi Evropian thanë se tashmë është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe programi i fondeve IPA.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje”.

“Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor. Komisioni ka njoftuar autoritetet e Kosovës më 28 qershor”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së.

Tutje, ky zëdhënës tha se masat e marra ndaj Kosovës janë të përkohshme në varësi të zhvillimeve në veri, teksa paralajmëroi se BE-ja po e monitoron edhe përmbushjen e kërkesave nga Serbia.

“Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti. BE-ja po monitoron gjithashtu nga afër përmbushjen e kërkesave tona nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes”, thuhet në përgjigje, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ky zëdhënës tha se Bashkimi Evropian “nuk mund të përballojë tensione e dhunë”, teksa sërish bëri thirrje për shtensionim të situatës duke i ndjekur tre hapat e propozuara nga BE-ja.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025