BE-ja i kërkon Serbisë të mos i forcojë lidhjet me Rusinë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
4dca66d7-34ba-454e-ba4a-9b5d85b64dec-780x470
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Bashkimi Evropian e ka përsëritur thirrjen ndaj Serbisë – si vend kandidat për anëtarësim – që të përshtatë qëndrimin e saj në politikën e jashtme me atë të BE- së, dhe t’i evitojë hapat që janë në kundërshtim me këto qëndrime.

Sipas diplomatëve të BE-së, kjo kërkesë vlen sidomos lidhur me qëndrimet ndaj Rusisë, kundër së cilës BE-ja vazhdojë të vendosë sanksione për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, ndërkohë që Serbia vazhdon të kultivojë raporte miqësore me Rusinë, raporton REL.

Një zëdhënës i BE-së, duke iu referuar vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në Moskë, dhe takimit të tij me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, ka thënë se BE-ja ka marrë hapa për ta izoluar Rusinë, i ka ulur në minimum kontaktet, dhe po përgatit edhe një paketë të re sanksionesh, andaj pret që Serbia si vend kandidat të mos ndërmarrë hapa kundër kësaj politike të Bashkimit Evropian.

“Serbia, si vend kandidat, duhet t’i shtojë përpjekjet për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së si çështje me shumë prioritet. Prandaj duhet të përmbahet nga veprimet apo deklaratat të cilat shkojnë kundër qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme“, ka thënë një zëdhënës i BE-së.

Ndërkohë, diplomatë nga disa vende anëtare kanë thënë se, krahas mungesës së progresit në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën, çështjeve të sundimit të ligjit, edhe bashkëpunimi i ngushtë i Serbisë me Rusinë ka ndikim që të mos hapen disa kapituj negociues në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, edhe pse Serbia sipas Komisionit Evropian i ka përmbushur kushtet teknike për këtë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025