Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të sqarojë çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve atje. Blloku është në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë lidhur me këtë çështje, ka thënë të enjten zëdhënësja për zgjerim në Komisionin Evropian, Ana Pisonero.
“Ne kemi marrë parasysh shqetësimet për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në jug të Serbisë. Ne po e ndjekim situatën në dritën e angazhimeve që ka marrë Serbia në kuadër të negociatave për anëtarësim, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare”, ka thënë Pisonero.
Së fundi, Gjykata Kushtetuese në Serbi ka refuzuar ankesën e një banori shqiptar në Medvegjë, për kthimin e adresës së tij.
Pas këtij vendimi ka pasur reagime nga politikanët në Luginë. Në Kosovë gjithashtu.Kundër diskriminimit me të cilin përballen vazhdimisht, shqiptarët e Luginës kanë protestuar disa herë radhazi në muajt e fundit.
Shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.