BE i kërkon Rusisë ta lirojë Navalny nga burgu
Lexohet për: 2 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, përsëriti sot thirrjen e mëparshme të BE-së drejtuar Moskës për lirimin e opozitarit rus Alexei Navalny nga burgu, në përputhje me masën e përkohshme të miratuar më parë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

"Ne dënojmë nxjerrjen jashtë ligjit të organizatës së Navalny dhe zyrave të tij rajonale si të ashtuquajtura 'grupe ekstremiste' dhe persekutimin dhe burgosjen e vazhdueshme të zotit Navalny dhe anëtarëve të ekipit të tij," tha Borrel.

Shtohet se masat e marra më herët ndaj Navalny nga autoritetet e burgut janë "të pajustifikuara" dhe se BE do t'i mbajë autoritetet ruse përgjegjëse për sigurinë dhe shëndetin e tij.

“Ne jemi dëshmitarë me keqardhje se lufta e pajustifikuar dhe e paligjshme e Rusisë kundër Ukrainës vetëm sa ka intensifikuar represionin e brendshëm të Rusisë dhe konfrontimet sistematike me kritikët më të zëshëm të Kremlinit dhe shoqërisë civile në tërësi”, thuhet në deklaratën e EEAS.

Navalny, një armik politik i presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua në janar 2021 pasi u kthye nga Gjermania, ku po shërohej nga helmimi me agjent nervor, për të cilin fajësoi Kremlinin.

Ai u dënua me dy vjet heqje lirie për shkeljen e kushteve të lirimit me kusht ndërsa ishte jashtë Rusisë.

Në mars, Navalny u dënua me nëntë vjet burg me akuza për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës, të cilën ai e quajti një përpjekje të motivuar politikisht nga autoritetet ruse për ta mbajtur pas hekurave për aq kohë sa të ishte e mundur.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024