Komisioni Evropian ka goditur Metën, kompaninë mëmë të Facebook, me një gjobë masive prej 797.72 milionë euro (841 milionë dollarë) për shkeljen e rregulloreve antitrust të BE-së.
Sipas komisionit, Meta rriti padrejtësisht shërbimin e saj të reklamave të klasifikuara në internet, Facebook Marketplace, duke e lidhur direkt me aplikacionin kryesor të Facebook.
Rrjeti social kryesor i Metës, Facebook, përfshin automatikisht Facebook Marketplace, i cili lejon përdoruesit të blejnë dhe shesin mallra. Ky konfigurim nënkupton që të gjithë përdoruesit e Facebook marrin qasje në Marketplace pa pasur nevojë të regjistrohen për të, duke i dhënë Marketplace një avantazh të padrejtë ndaj shërbimeve konkurruese.
BE-ja tha se kjo lidhje automatike e bën më të vështirë për shërbimet e tjera të reklamave të klasifikuara në internet të konkurrojnë pasi ato nuk kanë të njëjtën shtrirje.Krahas gjobës, Komisioni Europian urdhëroi Metën që të ndalojë menjëherë këto praktika dhe të shmangë veprime të ngjashme në të ardhmen./AA