Komisioni i Bashkimit Evropian ka ngritur edhe një herë shqetësimin për dhënien e shtetësisë nga Serbia për qytetarët e Rusisë përmes procedurave të përshpejtuara.
Duke marrë parasysh numrin e madh të rusëve që u është dhënë shtetësia nga Serbia sipas rregullave të lehtësuara e që më pas hyjnë në zonën Shëngen pa pasur nevojë për vizë, Komisioni tha se ata janë të shqetësuar për rreziqet e mundshme të sigurisë në bllok, SchengenVisaInfo.com raporton, transmeton KosovaPress.
Për më tepër, zëdhënësi tha se Serbia si vend kandidat duhet të mbajë rregulla më të rrepta ndaj Rusisë dhe, në të njëjtën kohë, theksoi se autoritetet aktualisht po e monitorojnë nga afër situatën.
“Komisioni Evropian është në dijeni të numrit të madh të qytetarëve rusë që janë vendosur në Serbi pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Si vend kandidat, Serbia pritet të përshtatet në mënyrë progresive me politikat dhe vendimet e Bashkimit Evropian. Komisioni po monitoron me kujdes situatën dhe po shkëmben informacione me autoritetet serbe në lidhje me praninë e shtetasve rusë në Serbi”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.
Kjo nuk është hera e parë që BE shpreh shqetësimet e saj. Më herët, në maj të këtij viti, Komisioni tha se ishte i shqetësuar për dhënien e shtetësisë nga Serbia për shtetasit e vendeve të tjera sipas rregullave të thjeshtuara.
Në atë kohë, një zëdhënës i Komisionit të BE-së tha se Serbia rrezikon regjimin e saj të lëvizjes pa viza pasi numri i qytetarëve të vendeve të treta që u jepet shtetësia dhe më pas hyjnë pa viza në vendet e BE-së është rritur.
Përveç të lartpërmendurave, vendet e BE-së janë ankuar edhe për një numër të shtuar të emigrantëve të parregullt që arrijnë në bllok përmes Serbisë. Ata thanë se numri i ardhjeve të parregullta është rritur ndjeshëm nga vendet për të cilat Serbia ka hequr kërkesat për viza.
Për këtë arsye, ata kanë kërkuar vazhdimisht që vendi të vendosë rregulla më të rrepta për të gjithë.