Bashkimi Evropian do të miratojë një kredi deri në 35 miliardë euro për Ukrainën për të ndihmuar vendin i cili ndodhet në luftë me Rusinë, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kredia është pjesë e një plani më të gjerë nga vendet e G7 për të mbledhur fonde duke përdorur të ardhurat e aseteve ruse të ngrira për të sanksionuar Rusinë gjatë pushtimit.
Ukraina po përballet me nevoja të mëdha financiare pas më shumë se dy vjet lufte intensive, e cila shkatërroi infrastrukturën e saj.
Vendet e G7 ngrinë rreth 300 miliardë dollarë të aseteve financiare ruse menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Ato u zotuan të përdorin fondet për të ndihmuar aleatin e tyre, por kaluan muaj duke debatuar se si mund të funksionojë një mekanizëm i tillë.
Ukraina pritet të marrë këstin e parë të ndihmës në korrik, thanë diplomatët e BE-së.