BE aksion kundër Kinës në OBT
Lexohet për: 2 min.
fwqfwf
2 vite më parë
Linku u kopjua

Bashkimi Evropian ka aplikuar në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për të ngritur dy panele arbitrazhi për të trajtuar çështjet që përfshijnë Kinën, njoftoi sot Komisioni Evropian.

Rasti i parë ka të bëjë me kufizimet tregtare të Kinës ndaj Lituanisë pas një mosmarrëveshje diplomatike që përfshin Tajvanin.

“Rasti i dytë përfshin kufizimet e Kinës ndaj kompanive evropiane për të ushtruar të drejtat e tyre të patentës”, tha komisioni.

“Në të dyja rastet, masat kineze janë shumë të dëmshme për bizneset evropiane”, tha krahu ekzekutiv i BE-së.

Komisioni Evropian është autoriteti më i lartë i bllokut për zbatimin e politikës tregtare.

Komisioni nisi fillimisht një sfidë ligjore kundër Kinës lidhur me Lituaninë në janar 2022. Pekini pengoi tregtinë me Vilniusin pasi vendi baltik thelloi lidhjet me Tajvanin.

Sfida e dytë ligjore, në shkurt 2022, përfshin kufizimet e Kinës ndaj kompanive të BE-së për të shkuar në gjykata të huaja, si gjykatat e BE-së, për të mbrojtur të drejtën e patentave të tyre.

“Nëse mbajtësit e patentave shkojnë në gjykata jashtë Kinës, ata duhet t’i nënshtrohen gjobave të konsiderueshme, dhe të paguajnë tarifat e licencës nën normat e tregut”, sipas komisionit.

Organi përkatës i OBT-së do të shqyrtojë aplikimin më 20 dhjetor. Kina mund të kundërshtojë aplikimin e BE-së.

“Si përgjigje, BE-ja më pas do të rinovojë kërkesën dhe një panel do të krijohet në janar 2023”, tha komisioni. Procedurat në panelet e OBT-së mund të zgjasin deri në 18 muaj./Atsh

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025