Bashkimi Evropian ul parashikimin e rritjes ekonomike: Inflacioni “shpërthen”
Bashkimi Evropian do të ulë sërish parashikimin e rritjes ekonomike të bllokut për këtë vit, ndërsa inflacioni pritet të marrë hov sërish.
Megjithatë, Brukseli insiston se ende nuk ka shenja që të nënkuptojnë afrimin e një recesioni.
Valdis Dombrovskis, zv/kryetar i Komisionit Europian: Shohim që rritja ekonomike po dëshmohet mjaft rezistente këtë vit. Mund të pritet një rishikim në rënie, aq më tepër për vitin e ardhshëm, ndërsa inflacioni, për fat të keq, vazhdojë të befasojë në rritje. Duhet rishikuar sërish.
Çmimet e konsumit në Eurozonë, që përbëhet nga ekonomitë e Bashkimit Europian si Franca dhe Gjermania, e nisën rritjen me 5% që në muajin dhjetor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe nuk e ndalën më hovin.
Fillimisht, në këtë fenomen kontribuan cmimet e energjisë, e më pas, edhe ato të ushqimeve. Kjo situatë shtoi presionin ndaj Bankës Qendrore Europiane për të vepruar ndaj inflacionit që t’i mbante normat e interesit jashtëzakonisht të ulëta për të stimuluar një rimëkëmbje ekonomike.
Megjithatë, inflacioni nuk ishte problem vetëm i BE-së. Edhe në Shtetet e Bashkuara, çmimet e konsumit janë rritur këto kohë me ritmin më të shpejtë në 39 vjet; me inflacionin më të lartë prej vitesh të tëra janë përballur nga ana tjetër edhe vende si Britania, Turqia e Brazili.