Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.
Ai me këtë rast ka bërë të ditur edhe arsyet e dorëheqjes së tij, duke thënë se ato nuk janë personale, por kanë të bëjnë me krizën e thellë që ndodhet PD-ja.
Basha ka thënë se përpjekja e tij për ta mbajtur PD të bashkuar nuk pati sukses.
“Unë dhe shumë demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh të paparimta dhe të pavërteta që krijuan një frymë përçarje, dhe si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë. Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike si shpresa e vetme për shqiptarët. Kjo nuk është një tërheqje për rehati personale, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur këto 6 muaj është bërë për karrigen e kryetarit”, ka thënë Basha.
“Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet Partia Demokratike dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm Edi Rama dhe klika e tij. Shqipëria meriton dhe do të ketë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve, në krah të interesit qytetar dhe kombëtar dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme për t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit, për të ardhmen e Shqipërisë dhe demokracisë”, ka thënë Basha.