Basha depoziton në Kuvend amendamentin e PD për buxhetin: 5 miliardë lekë ndihmë ushtarake për Kosovën
Lexohet për: 4 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Ashtu siç e paralajmëroi ditën e premte në konferencën për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë një amendament të buxhetit të shtetit prej 5 miliardë lekësh në ndihmë të sigurisë së Kosovës.

Duke parë situatën e fundit, që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator siguria e Kosovës është cënuar, prandaj mbështetja e saj është një domosdoshmëri për Bashën nga ana e shtetit shqiptar.

Basha propozon në kërkesën e tij miratimin e shkurtimit të disa investimeve kapitale jo të domosdoshme për mbarëvajtjen e ecurisë ekonomike të vendit dhe miratimin e një shtese “zëri” për ndihmë financiare ushtarake për Republikën e Kosovës në masën e 5 miliardë lekëve.

Propozimi i Bashës:

Duke marrë parasysh situatën e tensionuar të sigurisë në Republikën e Kosovës nën dritën e fakteve të një acarimi të paprovokuar të gjendjes së sigurisë nga Serbia, bëhet e domosdoshme një ndihmë financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë nga ana e Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024.

Kjo ndihmë financiare ka për synim forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale në një kohë në të cilën Republika e Serbisë po riarmatoset me objektiva të deklaruar për ndërhyrje ushtarake në Kosovë në momentin kur konjuktura politike do ta mundësonte këtë veprim.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar. Terroristët janë trajnuar në baza ushtarake në Serbi, armët janë kontrabanduar në Kosovë prej muajsh, me qëllim që të provokojnë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014. Nuk ka dyshim se asgjë e këtyre përmasave nuk mund të ndodhë pa implikimin e autoriteteve shtetërore në Serbi. Dhe as nuk ishte ky i vetmi operacion për ndyshimin me forcë të status quo-së në të cilin është përfshirë aktualisht Serbia.

Nxitja dhe mbështetja për shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnje-Hercegovina, përpjekja për të kontrolluar infrastrukturën politike të Malit të Zi dhe infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, të gjitha bëjnë pjesë në strategjinë e shtetit serb për të diktuar në terren një realitet të ri, të cilin liderët e Beogradit e etiketojnë publikisht si Bota Serbe.

Kjo është një përpjekje për të imponuar ndryshimin e kufijve përmes ndarjeve de facto dhe pushtimeve të territorit. Rezultati përfundimtar do të përmbyste arkitekturën e sigurisë euro-atlantike të Europës Juglindore dhe do t'i jepte një goditje potencialisht vdekjeprurëse paqes dhe stabilitetit në Europë.

Në një plan më të gjerë, kjo nënkupton përdorimin e Serbisë si gur shahu në një strategji të ideuar dhe orkestruar nga Moska me objektiva të qartë: Destabilizimin dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimin e krahut juglindor të NATO-s duke hapur një front të ri në zemrën e Aleancës kundër luftës së paligjshme pushtuese të Rusisë në Ukrainë.

Ndërkohë që përfaqësues të lartë të vendeve aleate kanë bërë të qartë se objektivat pas sulmit terrorist të Banjskës përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin, autoritetet më të larta të Kosovës kanë ngritur shqetësimin se 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë së forcave të armatosura serbe janë pozicionuar në 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës, në pritje të një konjukture të volitshme për ndërhyrje ushtarake.

E gjithë kjo tregon se duhet vepruar pa humbur kohë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës. Disa nga vendet aleate kanë hedhur hapa aktivë në forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Por në ndihmë të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve të saj duhet të renditet edhe Shqipëria.

Duke marrë parasysh shpenzimet kapitale të Buxhetit të Shtetit të vitit 2024, i propozoj Kuvendit të Shqipërisë:

1 - të miratojë uljen nga 129 miliardë e 381 milion lekë në 124 milardë e 381 milion lekë duke shkurtuar investimet kapitale jo të domosdoshme për mbarëvajtjen e ecurisë ekonomike të vendit, siç janë restaurime zyrash, mobilime, blerje automjetesh, shpenzime kapitale jo-emergjente;

2 - të miratojë një shtesë zëri “ndihmë financiare ushtarake për Republikën e Kosovës” në masën 5 miliardë lekë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024