Banorët dhe pronarët e bizneseve të fshatrave Gllarevë, Stapanicë dhe Rixhevë, sërish protestuan dhe shprehën pakënaqësitë e tyre para Qeverisë së Kosovës për devijimin e trasesë së rrugës që kalon në atë zonë, Kijevë – Zahaq.
Sipas protestuesve, qeveria nuk po i përfill kërkesat e tyre, ndërkohë të njëjtit janë në pritje për një takim tjetër me zyrtarë nga kabineti qeveritar.
Protestuesit paralajmërojnë bllokim të rrugës në rast se edhe këtë herë nuk marrin përgjigje prej Qeverisë dhe nuk zbatohen kërkesat e tyre.
Binak Pantina nga fshati Gllarevë i Klinës tha për KosovaPress se ka investuar mbi 3 milionë euro dhe sipas tij devijimi i rrugës e dëmton shumë për të bërë biznes.
Mes tjerash, Pantina u shpreh i shqetësuar që kërkesat e tyre nuk po merren parasysh, përkundër kontributit të siç tha ai, për vendin në mënyrë që edhe anëtarët e tjerë të familjes të mos e lëshojnë vendin.
Se devijimi i rrugës është pengesë për banorët, e tha edhe Isuf Mehmetaj, banor i kësaj ane.
Ndërkaq, Zahir Salihaj, i cili është edhe pronar i një biznesi tha për KosovaPress se në rast se bëhet ky devijim i rrugës, çelësat e biznesit do t’ia dorëzojë qeverisë dhe do ta braktisë Kosovën me gjithë familje.
Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti para një viti ka thënë se po shqyrtojnë mundësinë të bëjnë zgjerimin e rrugës ekzistuese Prishtinë-Pejë dhe ka theksuar se zgjerimi i rrugës do të bëhet me gjysmën e çmimit të variantit që është anuluar shpronësimi.