Banka Ekonomike hap degën e saj në Leposaviq
Biznes
Lexohet për: 3 min.
Banka Ekonomike hap degën e saj në Leposaviq
1 orë më parë
Linku u kopjua

Banka Ekonomike ka hapur të enjten degën e saj më të re në Leposaviq, duke shënuar kështu një moment tjetër të veçantë dhe duke zgjeruar edhe më tej rrjetin e saj në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është ditë e mirë për qytetarët e Leposaviqit, për ekonominë dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi. Sipas tij, tani ka mundësi që gjithçka të kryhet në mënyrë legale e transparente në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Është ditë e mirë për qytetarët e Leposaviqit, për banorët që jetojnë e punojnë këtu dhe për shtetin tonë e ekonominë e vendit tonë, meqenëse u hap dega e bankës ekonomike, e cila do të mundësojë të kryhen pagesat, transferet, po ashtu edhe kreditimi dhe në këtë mënyrë të gjitha shërbimet do të jenë të hapura për qytetarët dhe bizneset në mënyrë që të përfitojnë  familjet edhe ndërmarrësia… Në këtë mënyrë ka mundësi që gjithçka të kryhet në mënyrë legale dhe transparente në përputhje me ligjin, kushtetushmërinë dhe me rregullat e të bërit biznes, financave dhe të bankimit në Republikën tonë”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Shpend Luzha, kryeshef ekzekutiv i Bankës Ekonomike, u shpreh i kënaqur, duke uruar qytetarët e kësaj ane për krijimin e mundësisë për qasje më të lehtë në financa.

Ai ka falënderuar institucionet e vendit për mbështetjen, pa ndihmën e të cilave tha se do të ishte i pamundur një sukses i tillë.

“Është kënaqësi e veçantë sot që të hapim degën e 33-të të Bankës Ekonomike dhe gjithashtu t’u urojmë qytetarëve të komunës së Leposaviqit të kenë qasshmëri më të lehtë në financa përmes prezencës fizike. Ne si bankë vendore kemi vizion dhe mision që të ofrojmë shërbime sa më të mira, të lehta dhe të qasshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës…Kjo nuk do të ishte e mundshme pa përkrahjen e institucioneve publike, siç janë organet e rendit, BQK-ja, posta e Kosovës, e cila na ka mundësuar që në kohë rekord të hapim këtë degë që është modern me investime të teknologjisë më të re”, theksoi Luzha.

Banka Ekonomike dy muaj më parë ka inauguruar degën e saj të re edhe në Mitrovicën e Veriut.

https://kosovapress.com/banka-ekonomike-akoma-me-afer-qytetareve-shtrin-rrenjet-ne-mitrovicen-e-veriut

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025