Kosova ka shënuar një hap historik në industrinë automobilistike me hapjen e qendrës më të madhe të prodhuesit suedez Volvo në Ballkan nga Auto Mita, një ngjarje që nuk është vetëm një arritje për kompaninë, por edhe për vendin. Ky investim i madh, që vendos Kosovën në hartën globale të Volvo-s, do të ndihmojë edhe për një ambient më të pastër në të mirën e qytetarëve.
Me një ceremoni madhështore, Auto Mita ka bërë prezantimin e modelit EX90- Volvo, i cili është vlerësuar si një nga shpikjet më të mira të vitit.
“Si çdo i ri e kam dashtë Volvo, e kam ëndërruar Volvo dhe kam pasur synim të vijë deri këtu. 25 vjet përpara, unë kam qenë 11-vjeçar, Kosova e ka kryer periudhën e luftës, të shohësh një Volvo në rrugë ka qenë arritje, dhe sot të përurohet qendrën më të madhe të Volvo në regjion tregon kapacitetet që kemi ne kosovarët - nuk njohim inferioritet. Në këtë mënyrë jemi shumë krenarë që e kemi vendosur Kosovën në hartën fantastike të Volvo globalisht...Kanë filluar katër vjet përpara (negociatat, pritjet e menaxhmentit të Volvo), kanë zgjatur dy vjet...Volvo ka marrë një qasje të jetë pionier i elektrifikimit të veturave, të mbrojë ambientin, sepse e ka prioritet të mirën e njerëzimit. Mendoj se në bashkëpunim me ministren e MINT-it ka zhvillime që elektrifikimi të ndodhë në Kosovë, andaj gjenerata e re e veturave të elektrifikuar ose komplet elektrike do të jetë sfida e radhës për të sjellë këtu. Çfarë kemi bërë ne, i kemi instaluar pesë mbushës elektrikë pa pagesë për të gjithë pronarët e Volvo”, ka thënë Mita.
E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka thënë se prezenca e markës Volvo forcon lidhjet ndërkombëtare të Kosovës.Ambasadori suedez në Prishtinë Jonas Westerlund ardhjen e Volvo në Kosovë e ka vlerësuar si një ditë të rëndësishme jo vetëm për Auto Mita dhe Volvo, por edhe Suedinë.
“Kjo është një ditë e rëndësishme, jo vetëm për Auto Mita, jo vetëm për Volvo, por edhe për Suedinë... Suedezët janë mjaft të pasionuar pas Volvo dhe markës Volvo. Nuk është vetëm për arsye nostalgjike, por edhe sepse përfaqëson Suedinë dhe në veçanti përfaqëson sigurinë dhe inovacionin... Sa i përket sigurisë, Volvo ka qenë në ballë të industrisë së makinave qe nga fillimi i tij në 1927. Volvo shpiku rripin e sigurisë, të cilin e përdorin sot të gjithë prodhuesit e makinave. Ata gjithashtu formuan një ekip kërkimor për trafikun në vitin 1970, duke studiuar aksidentet e trafikut për të parandaluar aksidentet para se të ndodhnin... Pra, në shoqërinë suedeze, marka e makinave Volvo është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë dhe inovacionin, dhe, ju e dini, për inovacionin ne gjithmonë konkurrojmë me Zvicrën, se cila do të merr çmimin vjetor ose cili do të jetë vendi më kreativ dhe inovativ në botë”, ka thënë ai.