Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI), zhvilloi sot një workshop teknik dhe ndërinstitucional në kuadër të hartimit të “Taksonomisë së Gjelbër” të Shqipërisë, që është një sistem klasifikimi që përcakton se cilat aktivitete ekonomike mund të konsiderohen “të qëndrueshme nga perspektiva mjedisore”.
Ky aktivitet organizohet në funksion të programit të asistencës teknike të BEI-së për gjelbërimin e sistemeve financiare dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kuadri të qëndrueshëm për orientimin e investimeve në ekonominë shqiptare.
Workshop-i mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare, sektorit financiar, komunitetit të biznesit dhe organizatave mjedisore, me qëllim prezantimin e draftit të parë të Taksonomisë së Gjelbër, shkruan Oranews.
Aktiviteti u çel nga zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, e cila theksoi rëndësinë e hartimit të Taksonomisë së Gjelbër si një instrument kyç për orientimin e investimeve drejt aktiviteteve të qëndrueshme dhe për harmonizimin e standardeve të zhvillimit të ekonomisë shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.Zëvendësguvernatorja u shpreh se ky workshop synon të shërbejë si një platformë konsultimi për draftin e parë të Taksonomisë së Gjelbër, mbledhjen e komenteve teknike nga të gjitha palët e interesuara, në funksion të përmirësimit dhe zbatueshmërisë së saj në praktikë.
Ahmetaj theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të mbështetur financimet e gjelbra në ekonominë e vendit në frymën e Marrëveshjes së Parisit dhe në përputhje me objektivin e stabilitetit financiar. Finalizimi me sukses i këtij projekti përmbush një nga kërkesat e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Në përfundim të këtij procesi konsultimi, synohet finalizimi i dokumentit dhe formalizimi i bashkëpunimit ndërinstitucional përmes një Memorandumi Mirëkuptimi, si bazë për zbatimin e mëtejshëm të taksonomisë në Shqipëri.