Banka Botërore vlerëson se në Kosovë rritja reale e Bruto Produktit Vendor (BPV) u ngadalësua gjatë këtij viti, por parashikimet e kësaj banke janë se aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 3.2 për qind gjatë vitit 2023.
Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Massimiliano Paolucci, ka thënë se rritja ekonomike në Mal të Zi dhe Shqipëri ishte më e fortë seç pritej në vitin 2023, e nxitur nga një sezon i fortë turistik, ndër faktorët e tjerë, dhe mund të ngadalësohet pak në vitin 2024. Por sipas tij, rritja në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi parashikohet të përshpejtohet në vitin 2024, e mbështetur nga rritja e konsumit dhe e investimeve.“Për Kosovën, është i domosdoshëm zbatimi në kohë dhe efektiv i Strategjisë së re të Energjisë duke ruajtur stabilitetin fiskal, krahas nevojës për të reduktuar hendekun që Kosova ka në infrastrukturën e sektorit të ujërave, mbeturinave dhe ndërlidhjes [transportit ndërkombëtar]”, citohet në komunikatë Paolucci.
Ai ka shtuar se rritja e shkallës së investimeve në kapital njerëzor dhe përfshirja më e madhe e grave joaktive në tregun e punës, duke reduktuar barrierat për pjesëmarrje, gjithashtu duke rritur qasjen në shërbimet e kujdesit për fëmijë, janë një parakusht për të çliruar potencialin për rritje më të lartë ekonomike.
Sipas Bankës Botërore, shkalla e rritjes rajonale në vitin 2024, edhe pse më e shpejtë se në vitin 2023, mund të jetë 0.1 për qind më e ulët seç ishte parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit në muajin prill.
Projeksioni i rritjes për vitin 2025 është mbajtur i pandryshuar në 3.5 për qind.