Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka publikuar listën me pasurinë shumëmilionëshe të konfiskuar të kryekriminelit serb Milan Radojçiq sot gjatë ditës në veri të Kosovës. Ajo ka postuar listën me pasurinë e sekuestruar në rrjetin social Facebook. “Dokumentet më poshtë janë lista të gjata të pasurive të shumta të konfiskuara dhe sekuestruara të një kryekrimineli që vetë është bërë milioner ndërkohë që qytetarët e komunitetit serb i ka përdorur përmes frikës, kërcënimit dhe shantazhit. Pra, për vete milioner përmes krimit e qytetarëve terrorin dhe varfërimin. Por, kjo epokë ka marrë fund. Ka ardhur koha që qytetarët të jetojnë të qetë e kriminelët të ndëshkohen,” ka shkruar Haxhiu.
Në listë figurojnë mbi 30 automjete të ndryshme, ekskavator, autoblinda të modifikuar, motorë me katër rrotë, një vilë, banesë, anije dhe një lokal. Milan Radojçiq mori përgjegjësinë për agresionin dhe sulmin terrorist të organizuar në shtator të vitit ët kaluar në Banjska, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Radojçiq ndodhet i lirë në Serbi dhe po kërkohet nga Interpoli.