Banaliteti
Lexohet për: 7 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Banaliteti i së keqes

Shkruan: Menderes Ibra

1.

Në librin e saj “Banaliteti i të keqes”, H.Arendt përshkruan në mënyrë brilante, se si e keqja zë fill në njeriun, si e rrëmben dhe si e pushton atë përfundimisht, duke e vendosur pamëshirshëm nën kthetrat  e saj. Ajo ishte një nga mendimtaret dhe filozofet politike më me ndikim të shekullit njëzet, që kishte shkruar gjerësisht edhe për totalitarizmin dhe pasojat e tij rrënuese në jetën e njeriut.

Si e dërguar e gazetës New Yorker, ne vitin 1961, në Jerusalem kishte ndjekur procesin Ajhman, përkatësisht gjykimin e Oto Adolf Ajhman, i cili u kap në Argjentinë nga shërbimi sekret izraelit, dhe u gjykua në Jerusalem, i akuzuar për krime kundër popullit hebre, dhe krime lufte në regjimin nazist, veçanërisht gjatë luftës së dytë botërore. Ajhman kishte pozitë të lartë në regjimin nazist, dhe rol kyç në krimet shfarosëse e makabre ndaj miliona hebrejve. Duke ndjekur këtë process gjyqësor nga fillimi deri në fund, ajo pa dhe dëgjoi nga afër, se si u mbrojt Ajhman, si u ndje ai, dhe se çfarë personaliteti kishte ai. Dhe, se si ishte e mbruajtur e keqja në të.

Nga raportim për gazetën, e sidomos nga vështrimi studioz nga afër i Ajhnam, lindi edhe libri i saj i lartëpërmendur. Libër ky shumë me vlerë, që na tregon për njerëzit e këqinjë e bartës të së keqes, që edhe të këqijat më monstruoze i bëjnë me gjakftohtësi, dhe në mënyrë rutinore. Ajo ndër të tjera shkruante: “E keqja lind nga paaftësia për të menduar. E keqja sfidon mendimin, sepse, sapo mendimi përpiqet të merret me të keqen dhe të shqyrtojë premisat e parimet nga ajo buron, mendimi mbetet i zhgënjyer, sepse nuk gjen asgjë atje. Ky është banaliteti i së keqes.”

2.

Dimensionet e së keqes në njeriun janë të ndryshme, sikurse edhe format e paraqitjes së saj, kurse pasojat nga kjo janë të shumta. Ajo haset gjithnjë e më shpesh, duke shkaktuar fatkeqësi të panumërta, ose të paktën duke qenë burim potencial i tyre. Sado që njerëzimi është duke ndryshuar me të madhe, e keqja gjithmonë mbetet po aty, duke ngritur kokën herë hapur, e herë fshehtas, dhe duke treguar se ajo çrrënjoset vështirë, veçanërisht nga aty ku e ka krijuar folenë. Rasti i ndeshjes së futbollit në mes të Zvicrës dhe Serbisë javën e kaluar ishte shumë indikativ. Selektori i reprezentacionit serb, pas golit të avantazhit të ekipit të tij, bëri veprime që në asnjë mënyrë nuk i përkasin njeriut të rangut të tij, dhe aq më tepër në një ndeshje sportive. Ai shau në mënyrë të ultë dhe me fjalë të pista futbollistët shqiptarë. Një shpërthim i tillë primitiv u cilësua skandal, madje edhe nga disa media serbe, dhe ska si të mos jetë i tillë. Të ndodhë kjo në një ndeshje futbolli, në një kampionat botëror, që përcillej në mbarë botën, dhe madje nga një ish sportist i njohur që tërë jetën merret me sport, thënë më së buti, është jo njerëzore. Një selektor po shante barbarisht futbollistët, që për nga mosha mund të ishin fëmijet e tij. Dhe atë sharje të qoroditur, ato gjeste e veprime si të një somnambuli, po i shihte e tërë bota, e edhe të rinjtë e shtetit të tij. Selektori serb mbase harroi për popullaritetin e lartë të futbollit, dhe ndikimin e tij sidomos te të rinjtë. Në Angli, duke pasur parasysh se trajnerët shërbejnë edhe si model për të tjerët, jo sharjet e gjestet vandale, por, madje  trajnerëve iu ndalua që edhe të pijnë duhan gjatë ndeshjeve. E trajneri serb shante paturpshëm!

Çfarë porosie vallë po jipte ky njeri? Çfarë kompleksesh po manifestonte dhe çfarë urrejtje e mllefi po përqonte? Pse po ushtronte përdhosje të tillë?

 Po, ku e ka burimin një sjellje e tillë? Një analizë fare e përciptë tregon, për urrejtjen e tij të thellë patologjike, ndaj futbollistëve shqiptarë të Kosovës, që luajnë për përfaqësuesen e Zvicrës. Edhe pse në fushë ishin vetëm dy futbollistë shqiptarë, ai shfreu mllefin sikur të ishin të gjithë të tillë. Nëse ekipi serb do të luante me ekipin e Kosovës, dhe të pësonte, ndoshta edhe mund të pritej një gjest i tillë. Mirëpo, ekipi serb po luante me ekipin zviceran, dhe lojtarët shqiptarë ishin aty si përfaqësues të Zvicrës, me nënshtetësi zvicerane. Ata madje edhe janë lindur atje, nga prindërit, që nga  Kosova kishin migruar atje, pikërisht duke ikur nga dhuna serbe. Logjika e selektorit serb është e pashembullt,sepse,  shqiptarët sipas tij, edhe kur janë shtetas të vendeve tjera nuk bën të dëgjohen, as të vërehen, dhe as të jenë të suksesshëm. Ata, sipas tij, dhe të tillëve, duhet të tulaten si të shushatur dikund, e të mos bëzajnë. Por, a harroi vallë ky njeri, se çka ndodhi në Kosovë nga aparati i shtetit të tij në të kaluarën jo të largët. A i harroi ai të vërtetat dhe faktet e pamohueshme për dhunën serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Krimet dhe masakrat makabre e gjenocidale, vrasjet, dhunimet dhe tërë fatkeqësitë, që shteti serb  bëri ndaj shqiptarëve.

Dhe, një gjuhë e dhunshme, gjithmonë i paraprinë dhunës.

3.

Shkrimtari hebre, F. David, në një nga veprat e tij shkruan: “Shpesh fara e së keqes fshihet pas harresës, ose, pas absurditetit të harresës ndaj të vërtetave.Gjeneratat tentojnë ta rishkruajnë historinë çdo 40 vjet, duke tentuar të mos kenë dëshmitarë të kohës së shkuar. Kështu humanizojnë të keqen e bërë në të shkuarën dhe kërkojnë të kontrollojnë të ardhmen”.

Mendimtarë të njohur, tërheqin vëmendjen e rrezikut për shoqëritë jo demokratike, pikërisht bërjen rutinë të së keqes, duke e shëndërruar atë në dukuri pothuajse normale të shoqërisë e shtetit, dhe aty ku mungon reagimi ndaj së keqes. Është evidente, se dukuri e fenomene të tilla ndodhin veçanërisht në shoqëritë, që jo vetëm nuk guxojnë të ballafaqohen me historinë e tyre kriminale, si një e keqe ekstreme e shkatërruese për të tjerët, por madje as nuk tentojnë të mendojnë për të, dhe për të arritur deri te ana tjetër e absurdit, madje edhe për ta arsyetuar dhe glorifikuar atë. Për t’u mburrë me të, dhe duke e paraqitur si shenjë të superioritetit. Dhe, në raste të tilla, e keqja, gjen një ambient të favorshëm, jo vetëm për të mbirë, por edhe për t’u zgjeruar furishëm.

Dikush, mbase edhe mund të thotë, që nuk duhet të mirremi me të kaluarën, e duke e harruar atë, mirëpo kjo padyshim që është gabim. Në librin e lartëpërmendur H.Arendt thotë:”Eshtë në natyrën e gjërave, që çdo veprim njerëzor që është kryer njëherë në historinë e botës, mund të përsëritet, edhe kur tashmë i përket një të shkuare të largët.”

4.

Sepse, nëse ka një armë, që nuk mundi kurrë të luftojë, e të mposhtë të keqen, ajo, është pikërisht mendjelehtësia dhe nënçmimi infantil i saj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025