Para Komisionit për të Drejtat e Njeriut ka rrëfyer sot e mbijetuara e dhunës seksuale, e cila është refuzuar dy herë nga Komisioni Qeveritar. Edhe pas më shumë se dy dekadave, ajo ka ende shenja të dhunimit në trupin e saj, por ajo ende nuk gëzon statusin e viktimës së dhunës seksuale. Kryetarja e komisionit, Duda Balje ka thënë se gratë e burrat që janë ballafaquar me këtë krim, po përjetojnë dhunë të dyfishtë si shkak i procedurave. Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, është miratuar edhe projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.
Kryetarja e komisionit, Duda Balje ka thënë se gruaja e cila ka folur para komisionit është refuzuar dy herë nga komisioni qeveritar.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka miratuar edhe projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore. Në votim nuk ka marrë pjesë deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
Kryetarja e komisionit ka njoftuar se kjo nismë legjislative është në fazën e fundit para se të shkojë në kuvend për lexim të dytë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza ka propozuar që policët në raste të dhunës në familje, të kenë me vete para të imta për tu ofruar ndihmë nënave me foshnje.
Me këtë, është pajtuar edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje./E.Krasniqi/