Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, gjatë takimit që e pati me të dërguarin e BE-së për këtë proces, Peter Sorensen, theksoi se janë dakorduar për hapat konkretë sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Bajrami theksoi se dialogu duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur, përmes njohjes reciproke në mes të dy vendeve.
Më tej thuhet se Republika e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet sa më shpejt.
“Kryenegociatori Bajrami theksoi se Republika e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i dialogut duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur, përmes njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i hapur rrugën integrimit të plotë të Kosovës dhe të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e MPJD-së, transmeton KosovaPress.“Këto obligime përfshijnë integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO dhe OKB. Sa i përket hapave të ardhshëm, Kryenegociatori Bajrami theksoi se Kosova insiston në zbatimin e plotë dhe jo-selektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, që përfshin obligimin e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e institucioneve të saj në të gjithë territorin e Kosovës”.
Sipas njoftimit, progresi i mëtejshëm në proces do të varet shumë edhe nga llogaridhënia për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, që përfshin dorëzimin e udhëheqësit të këtij sulmi, Milan Radojiqit, dhe grupit të tij, për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë, ka thënë ambasadori Bajrami”, thuhet në njoftim./KosovaPress