Azerbajxhani kritikoi sot miratimin e BE-së të një pakete të mbështetjes ushtarake për Armeninë me vlerë 10 milionë euro të shpallur më herët gjatë ditës, duke e përshkruar atë si një hap "të gabuar dhe të rrezikshëm".
“Pas hapave të ndërmarra nga Franca për pajisjen e Armenisë me mjete të blinduara shumëfunksionale ‘Bastion’ dhe sisteme artilerie vetëlëvizëse ‘Caesar’, vendimi i Bashkimit Evropian për të dërguar ndihmë ushtarake në Armeni është një hap i gabuar dhe i rrezikshëm që shërben për të rritur tensionin në rajon”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit, Aykhan Hajizada.Ai tha se ndihma ushtarake për Erevanin, si dhe thirrjet e ardhshme për mbështetje të shtuar, do ta ndihmojnë Armeninë të ndërtojë ushtrinë e saj.
“Ne e kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe presim që të jepet informacion transparent në lidhje me ndihmën”, tha ai.
“Përndryshe, Bashkimi Evropian do të ndajë gjithashtu përgjegjësinë me Armeninë për çdo provokim të mundshëm destabilizues”, paralajmëroi ai.
Këshilli i BE-së miratoi një vendim për të ofruar një paketë ndihme prej 10 milionë euro për ushtrinë armene, e cila tha se synonte të forconte kapacitetet logjistike të Forcave të Armatosura Armene midis objektivave të tjerë.
Pjesa më e madhe e territorit u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi pas një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia që hapi derën për normalizimin dhe bisedimet për demarkacionin e kufirit.
Shtatorin e kaluar, Azerbajxhani vendosi sovranitet të plotë në Karabakh pas një "operacioni anti-terrorist" pas të cilit forcat separatiste në rajon u dorëzuan. /AA