Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se do të kërkojë besimin e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta udhëhequr këtë parti.
Hoti ka vendosur ta kërkojë besimin në kuvendin e LDK-së, pasi kryetari aktual Lumir Abdixhiku ka ofruar dorëheqjen dhe tash i mbetet Kuvendit që të vendos për apo kundër.
Në një njoftim drejtuar anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së, Hoti ka bërë të ditur se kandidatura e tij do të formalizohet në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së që do të mbahet më 31 janar 2026.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook, ka falënderuar udhëheqjen aktuale të LDK-së për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë pesë viteve të fundit, duke veçuar kryetarin Abdixhiku, Kryesinë, degët, nëndegët dhe forumet e partisë, si dhe ka shprehur mirënjohje të veçantë për anëtarësinë e LDK-së, të cilën e ka cilësuar si shtyllën kryesore të partisë.
Ai ka theksuar se synimi i tij është ndërtimi i një LDK-je të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, me fokus të veçantë në përfshirjen e profesionistëve, grave dhe të rinjve.
Në fund, Hoti ka theksuar se rikthimi i LDK-së si forcë kryesore politike kërkon unitet, guxim politik dhe rikthim të vlerave themeltare të partisë, duke përfshirë demokracinë e brendshme, vizionin shtetformues dhe orientimin euro-atlantik.