Austin: Lufta mund të përfundojë shpejt nëse Putin tërheq trupat
Lexohet për: 2 min.
vwvq
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin deklaroi se gjatë takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, nuk u fol për planin e paqes që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky synon t'ia paraqesë homologu të tij amerikan Joe Biden.

Ai theksoi se lufta mund të përfundojë shumë shpejt nëse presidenti rus Vladimir Putin vendos të tërheqë trupat e tij nga territoret e okupuara në Ukrainë.

“Kjo është diçka që Putin mund të përfundojë shumë shpejt nëse merr vendimin e thjeshtë dhe të saktë për të zhbërë atë që ka bërë. Sa i përket fitores absolute, varet vërtet nga mënyra se si e përcaktoni atë. Ukraina është e fokusuar në mbrojtjen e territorit të saj sovran”, tha Austin në një konferencë për shtyp pas një takimi të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në bazën ajrore Ramstein në Gjermani.

Shefi i Pentagonit shprehu besimin se Zelensky do t'ia prezantojë planin e fitores Biden dhe liderëve të tjerë "në rastin e parë".

“Kam pasur rastin të kaloj pak kohë me presidentin Zelensky dhe ju do të mbani mend se Zelensky prezantoi planet dhe synimet e tij gjatë fjalës së tij hyrëse. Por sa i përket planit për të fituar, ne nuk folëm për këtë”, tha Austin, raporton Interfax Ukraine.

Ai përsëriti se partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është e mundur për t'i ndihmuar në këtë.

"Ju e dini se cilat janë qëllimet dhe objektivat e Rusisë - ne e dimë që në fillim se ata duan të aneksojnë Ukrainën sepse nuk besojnë se Ukraina është një vend dashamirës," shtoi ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se mendon se konflikti përfundimisht do të zgjidhet në tryezën e bisedimeve, por se është e vështirë të parashikohet se kur do të vijë ai moment.

“Prandaj, ne do të vazhdojmë të punojmë për ta vendosur Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm kur dhe nëse ajo ditë të vijë në të ardhmen”, përfundoi Austin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025